Avokati flet pas lirimit të Lushtakut nga akuzat

Avokati flet pas lirimit të Lushtakut nga akuzat

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku sot është shpallur i pafajshëm lidhur me akuzat për shtytje për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë rast hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.

Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratçs së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Avokati i tij, Arianit Koci i ka thënë Insajderit se aktakuza ndaj Lushtakut ka qenë pjesë e fushatës që sipas tij është bërë atëherë kundër tij.

“Kjo aktakuzë ka qenë pjesë e fushatës që është bërë në atë kohë kundër Sami Lushtakut”, ka thënë Koci.

“Kur prokuroria e ka parë qe do t’i deshtojë procesi i krimeve të luftes kunder klientit tim, e ka hapur edhe këtë procedure”, ka shtuar ai.

Aktakuza ndaj Lushtakut, sipas Kocit është turp.

“Kjo ka qenë aktakuzë e turpit për shkak se nuk ka pasur asnjë provë të vetme kundër z.Lushtaku. Natyrisht se në fund drejtësia fiton”, ka thënë Koci.