Avokati i Popullit e konsideron legjitime kërkesën e AAK-së për rinumërim votash

Avokati i Popullit e konsideron legjitime kërkesën e AAK-së për rinumërim votash

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e konsideron si legjitime kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që të ketë rinumërim të plotë të votave, pas dyshimeve për keqpërdorim, transmeton Insajderi.

Ai është shprehur se Kosova ka krijuar mekanizma të fuqishëm institucional që do të vendosin në mënyrë të drejtë për të gjitha kërkesat dhe ankesat që vijnë nga të gjitha partitë politike.

“Krejt çka mund të them është që procesi zgjedhor ka qenë një test i kaluar me notën më pozitive të mundshme. Përkundër tensioneve që kanë mundur të krijohen për shkak të rivalitetit politik, kemi arritur të kemi një proces demokratik”, ka thënë ai.

“Kërkesa është legjitime, por se cili do të jetë vendimi unë nuk e di, kështu që mund të mbesë vetëm në suaza të kësaj deklarate. Kështu që çdo gjë që vjen për t’i hequr dilemat në lidhje me respektimin e qytetarëve për të zgjedhur është legjitime, mirëpo pastaj është vlerësim i autoriteteve që e kanë mandat për të vendosur”, ka deklaruar Qelaj për EO.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesi i AAK-së, Ibrahim Selmanaj, ka kërkuar rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor”.

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër kësaj kërkese, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës është deklaruar se është legjitime të kërkohet rinumërimi, duke marrë parasysh se janë arrestuar komisionerë në Qendrën e Numërimit të Rezultateve për manipulim të votave./Insajderi.com