Avokati i Popullit: Është diskriminim kërkesa që prindërit të kenë kontratat e punës për regjistrimin e fëmijëve në parashkollor

Avokati i Popullit: Është diskriminim kërkesa që prindërit të kenë kontratat e punës për regjistrimin e fëmijëve në parashkollor

Avokati i Popullit konstaton se kërkesa e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për prindërit që të paraqesin kontratat e punës për regjistrimin e fëmijëve në institucionet parashkollore është diskriminuese dhe trajtim i pabarabartë para ligjit, njofton Insajderi.

Ky institucion, përmes një komunikate për medie, thotë se ka vërejtur që kërkesa për kontratën e punësimit tё prindërve, e vendosur nga disa komuna gjatë publikimit tё konkurseve për pranim në institucione parashkollore, si dhe vërejtja e tyre se aplikimet pa këto dokumente nuk do tё shqyrtohen është në kundërshtim më Udhëzimin Administrativ Nr. 19/ 2016.

Sipas tyre, ky kriter po ashtu nuk është në pajtim me parimin e ligjshmërisë dhe të sigurisë juridike.

“Avokati i Popullit thekson se pas analizimit të legjislacionit përkatës në fuqi dhe rrethanave të rastit vlerëson se Udhëzimi Administrativ Nr. 19/ 2016 (MASHT) për Përfshirjen e Fëmijëve në Institucione Parashkollore në Kosovë nuk është i qartë, konciz dhe se normat përkatëse të tij janë kundërthënëse, nuk kanë konsistencë si dhe nuk janë në pajtim me parimet bazë dhe autorizimet që dalin nga Ligji për Edukimin Parashkollor dhe me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, siç janë: barazia, gjithëpërfshirja dhe zhvillimi i gjithanshëm i personalitetit të fëmijëve”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thuhet se udhëzimi në fjalë nuk ofron siguri juridike, alternativa tё qarta dhe tё përballueshme pёr fëmijët me dëmtime tё rënda, “nё mënyrë qё ata t’i gëzojnë tё njëjtat tё drejta si tё gjithë fëmijët e tjerë, më specifikisht tё drejtën e fёmijёve pёr arsim, për mos diskriminim dhe për interesin mё tё mirё tё tyre”.

“Avokati i Popullit gjithashtu vërejti se vendosja e këtij prioriteti nga disa komuna ka ardhur nga mungesa e kapaciteteve dhe e burimeve pёr ta akomoduar numrin e madh tё aplikimeve me gjithë vullnetin e tyre pёr t’i pёrfshirё tё gjithё fёmijёt pa dalli”./Insajderi.com