Avokati i Popullit: Kemi pranuar vendimin e Kushtetueses për pezullimin e ligjit të pagave

Avokati i Popullit: Kemi pranuar vendimin e Kushtetueses për pezullimin e ligjit të pagave

Avokati i Popullit Hilmi Jashari gjatë prezantimit të rezultateve të institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2019, tha se janë trajtuar mjaft probleme duke përfshirë tri shtyllat e shtetit, veçmas në fushën e legjislacionit në vend që ende nuk po gjen zbatim të plotë të ligjeve.

Sa i përket sistemit gjyqësor, Jashari tha se vazhdon të ketë zvarritje të shqyrtimit të lëndëve që paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

“Kosova vazhdon të përballet me këto probleme, duke u nis ende me problemin e legjislacionit në vend, që konsiderohet një prej shqetësimeve kryesore gjatë punës sonë dhe trajtimit të çështjeve që kemi pasur në proces. Për shkak se një pjesë e madhe e ligjeve që nxirren nga Kuvendi i Kosovës ende nuk janë të harmonizuara mes veti dhe e dyta ende vazhdon të mos ketë një kodifikim të së drejtës që përbën një prej problemeve më serioze në funksionimin e së drejtës, i cili afekton gjithë sistemin e drejtësisë, duke pamundësuar zbatimin adekuat të ligjeve”, tha Jashari.

Avokati i Popullit shtoi se sa i përket ekzekutivit nuk ka përmirësime sa i përket llogaridhënies dhe përgjegjësisë të autoriteteve ekzekutive.

Ndërsa, ankesat dhe rastet për qasje në dokumente publike deri më 13 dhjetor numri i ankesave është 102 ose 70 për qind ngritje në krahasim me vitin 2018. Sa i përket mungesës së transparencës, e para sipas Jasharit është Ministria e Infrastrukturës për mungesë të llogaridhënies.

“Sa i përket sistemit gjyqësor vazhdojnë me pasur probleme në zvarritje të procedurave gjyqësore që përbënë shkelje të të drejtave njeriut. Edhe përfundimisht para sa kohësh edhe vetë sistemi gjyqësor pranoi që kanë ngarkesë me shqyrtimin e lëndëve dhe periudha që duhet për të trajtuar këto çështje tani është evidentuar të zgjatë më tepër se pesë vjet nëse rastet nuk kthehen në rishqyrtim, ndërsa sa i përket ekzekutivit nuk ka përmirësime sa i përket llogaridhënies dhe përgjegjësisë të autoriteteve ekzekutive”, deklaroi ai.

Avokati i Popullit Jashari përmendi edhe dy ligjet, atë për Zyrtarë Publik dhe për Pagat, që janë pezulluar nga Gjykata Kushtetuese me inicim të Institucionit të Avokatit të Popullit. Ai tha se nga kushtetuesja kanë pranuar vendimin për pezullimin e ligjit të pagave.

“Po, është pranuar vendimi, është dokument që ka mbërri në zyrën e Avokatit të Popullit… Unë mendoj që publikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në faqen zyrtare e konfirmon që gjykata ka marrë një vendim të tillë, tanimë cilave institucione i është përcjellë, ndërsa cilët janë hapat tjerë që kjo gjykatë do të ndërmarrë, sigurisht që është jashtë mandatit të Avokatit të Popullit”, pohoi Jashari.

Ai ka përmendur rastet më të rëndësishme të cilat janë trajtuar për gjatë vitit 2019. Sipas Jasharit është trajtuar një rast me rëndësi për trajtimin e barabartë të pensionistëve nga ana e bankave komerciale në Kosovë në ofrimin e shërbimeve të kreditit bankar, (206 mijë e 534 pensionistë).

Po ashtu, rasti tjetër ka qenë me detyrimet pozitive të shtetit përkitazi me mbrojtjen nga dhuna në familje për të drejtën në jetë, që burojnë nga Kushtetuta dhe nga neni 2 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Jashari ka shtuar edhe është trajtuar edhe çështja e fëmijëve në situatë rruge.

Numri i ankesave të paraqitura në Institucionin e Avokatit të Popullit për vitin 2019 ishin 1876, ndërsa numri i rasteve të hapura për hetim nga ankesat e paraqitura kanë qenë 878, ndërsa rastet e hapura Ex Officio 51.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Punën dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Shëndetësisë dhe komuna e Dragashit prijnë në listën e institucioneve më të përgjegjshme për qasje në dokumente zyrtare, ndërsa institucionet më mos bashkëpunuese janë Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ajo e Punëve të Brendshme, MASHT dhe Ministria e Financave dhe prej institucioneve lokale është Komuna e Prishtinës.