Avokati i Selimit e quan të padobishëm kategorizimin e dokumenteve nga Prokuroria

Avokati i Selimit e quan të padobishëm kategorizimin e dokumenteve nga Prokuroria

Avokati i Rexhep Selimit, David Young, në seancën e sotme të Gjykatës Speciale, deklaroi se kanë hasur në vështirësi në qasjen e dokumenteve të Prokurorisë, njofton Insajderi.

Sipas tij, Prokuroria nuk e ka përmbushur detyrimin e saj, pasi që thotë se kategorizimi i dokumenteve është i padobishëm.

Young tha se është e rëndësishme që të bëhet një kategorizim i mirëfilltë i informacioneve.

“Kemi vështirësi të konsiderueshme me qasjen që ka marrë Prokuroria. Mund të ju kujtohet që në konferencë e kaluar unë fola për rëndësinë që ka nxjerrja e materialeve në mënyrë të kuptimshme dhe të përgjithshme. Unë paralajmërova rrezikun e këtij procesi, i cili mund të bie në një vrimë të zezë kompjuterike dhe e theksova se sa e rëndësishme është kategorizimi i informacioneve”.

“Faktikisht Prokuroria nuk e ka plotësuar këtë detyrim të saj. Kategorizimin që e ka bërë tani nuk është i dobishëm fare”, ka deklaruar ai.

Avokati i Selimit tha se në dokumentet e Prokurorisë duhet të ketë edhe të dhëna bazë për akuzat që rëndojnë mbi të akuzuarit.

“Pra, dorëzimi i dokumenteve duhet të jetë i organizuar, i kuptueshëm dhe duhet të ketë referime ndaj akuzave të bëra, psh. koha, vendi i krimit që janë informacione bazë. Prokuroria duhet ta dijë se çfarë argumente kanë. Ata kanë bërë hetime për një kohë të gjatë, kanë informacione dhe duhet se kanë marrë vendim strategjik për mosdorëzimin e materialeve”, ka thënë ai./Insajderi.com