fbpx

Avokati Koci alarmon për përdorim të barnave si drogë

Avokati Koci alarmon për përdorim të barnave si drogë

Duke qenë avokat, thotë se i ka rënë shpesh të merret me rastet kur fëmijët apo adoloshentët kanë përdorur substanca narkotike.

Kjo ka bërë që avokati Arianit Koci të shkruaj dhe të merret më shpesh me këtë fenomen dhe thota ta ketë kuptuar se në Kosovë kur flitet për narkomani, mendohet veç në përdorimin narkotikëve, drogave të ndryshme.

“Por kjo është gabim”, thotë Koci.

Sipas Kocit, në Kosovë, si edhe në shumë vende tjera, ka filluar me të madhe të keqpërdoren barnat nga ana e adoleshentëve. Shumë fëmijë, por edhe të rritur, thotë Koci, mendojnë që ilaçet apo barnat shtëpiake që janë në shitje të lirë, apo edhe ato që jepen me recetë, janë më të sigurta se narkotikët ilegal.

“Nuk është e saktë!Përdorimi i barnave pa lejen dhe kontrollin e mjekut, e posaçërisht koktejet e ndryshme, janë njëjtë apo në disa raste, edhe më të rrezikshme se narkotikët ilegal”, ka shkruar Koci në një postim në Facebook.

Më poshtë mund të lexoni shpjegimin e Kocit për disa nga llojet e barnave që përdoren si drogë, sipas Kocit:

Janë disa lloje të hapave, që mund të jenë në çdo shtëpi kosovare, e që potencialisht mund të keqpërdoren nga ana e fëmijëve:

Barbituratet
Fenobarbitoni një kohë është keqpërdorur shumë nga ana e të rinjve kudo në botë.
Përdoret për shërimin e epilepsisë. Aq sa kam mundur ta vërej, në Kosovë çdo ditë e më pak keqpërdoret.

Hapat për fjetje
Ka një paletë e tërë e ilaçeve për gjumë.
Fatkeqësisht, te ne është rritur konsumimi i tyre nga ana e të rriturve dhe rrjedhimisht edhe fëmijët kanë qasje më të lehtë.
Nëse përdoren një kohë të gjatë këto hapa, krijohet varësi e rëndë prej tyre.
Shumë persona pas një kohe, e kjo vlen edhe për ne kosovarët, nuk mund të flenë pa këto hapa.
Keqpërdoren prej të rinjve, edhe nga shkaku se në barnatore mund të sigurohen relativisht lehtë.

Benzodiazepinët
Në grupin e benzodiazepinëve, apo siç i quajnë – sedativëve janë: Diazepami, Lorazepami, Bromazepani etj.
Gati çdo shtëpi i ka te ne.
Indikacionet për përdorimin e tyre janë: anksioziteti dhe pagjumësia.
Shkaktojnë varësi të fortë dhe të shpejtë psikike dhe fizike.
Përdorët shumë në koktej – party, e adoleshentëve të Prishtinës.

Analgetikët
Padyshim, disa prej ilaçeve që më së shumti keqpërdoren janë analgjetikët – opijatet. Këto barëra e ndalin dhimbjen, por në doza më të mëdha, shkaktojnë sjellje euforike dhe kanë efekte anësore të rrezikshme dhe të paparashikueshme.
Adoleshentët, ilaçin oksikodon e shtypin dhe e marrin përmes hundës, duke e kombinuar me pirje të alkoolit. Kombinimi i analgjetikëve dhe alkoolit, mund të shkaktojë vdekjen.
Brufeni si ilaç që e ndal dhimbjen është padyshim top hapi që keqpërdoret edhe për faktin se çdo shtëpi kosovare e ka apo e ka pasur ndonjëherë.

Amfetaminat
Keqpërdorimi i amfetaminave mundëson rritjen e energjisë dhe largon gjumin.
Normalisht, shumë lehtë krijohet varësia, dhe përdorimi i këtyre ilaçeve pa kontroll të mjekut shkakton rrahje të pakontrolluar të zemrës, në disa raste edhe sulm në zemër dhe ngritje të temperaturës trupore.
Në rrugë, amfetaminët i thërrasin – Speed dhe përdorën në rave party, ku vallëzohet tërë natën.

Dextrometorfani
Shumë ilaçe kundër ftohjes dhe kollit e kanë Dextrometorfanin në përbërje të vet.
Blihet pa recetë.
Adoleshentët e përdorin shumë, për shkak se është substancë në sirupët kundër kollit.
Doza e madhe shkakton halucinacione dhe ndenjën e euforisë.

Të gjithë këto substanca, shumë shpesh edhe kombinohen. Madje edhe organizohen të ashtuquajtura ” koktej farma – party”.
Në këto ndeja, apo farma – party siç i quajnë, çdo i ftuar merr hapa me vete dhe të gjitha i përziejnë dhe fillojnë me eksperimente të kombinime të ndryshme të hapave dhe alkoolit. Pjesëmarrësit shkëmbejnë përvojat dhe ndikimet e hapave.  Normalisht, muzika nuk mungon. Sidoqoftë, pasojat mund të jenë fatale./Insajderi.com