Avokati i Popullit pret kompensim të qytetarëve për pagesën e rrymës së shpenzuar në veri

Avokati i Popullit pret kompensim të qytetarëve për pagesën e rrymës së shpenzuar në veri

Kosovarët në përgjithësi kanë paguar edhe për energjinë, të cilën e kanë shpenzuar qytetarët serbë të pjesës veriore të Kosovës.

Por një gjë të tillë vazhdojnë ta bëjnë sërish, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Apelit që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ta ndërpresë këtë praktikë, raporton KTV.

ZRRE-ja tha se vendimin e gjykatës nuk po e zbaton për shkak të mungesës së bordit.

Por Avokati i Popullit, i cili e kishte iniciuar rastin në gjykatë, po e cilëson si të padrejtë dhe të paarsyeshëm këtë veprim të ZRRE-së.

Avokati i Popullit thotë se ZRRE-ja, duke mos zbatuar një vendim të tillë, po bën vepër penale, duke i shkelur të drejtat e njeriut.

“Ka qenë e habitshme një gjë e tillë për neve”, ka thënë Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Përpjekje për ta zvarritur vendimin e Gjykatës së Apelit e quan mosreagimin e ZRRE-së deputetja e Kuvendit Donika Kadaj-Bujupi, e cila shumë herë në kuvend e kishte ngritur çështjen e pagesës së rrymës për veriun.

Sipas saj, moskompletimi i bordit nuk e pengon aspak zbatimin e vendimit të Gjykatës, derisa shton se themelimi i bordit të ri duhet të jetë prioritet për agjendën legjislative.

“Është krejt e paarsyeshme që të interpretohet si mungesë mosformimi i bordit, dhe vendimi i gjykatës duhet të zbatohet menjëherë”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Ndërkaq, një grup avokatësh kanë planifikuar që të ndërmarrin një iniciativë për padi kundër atyre që i detyruan qytetarët të paguajnë rrymën që dikush tjetër e ka shpenzuar.

Sidoqoftë, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, paralajmëron sërish se hapi i ardhshëm do të duhej të ishte kompensimi i qytetarëve, që do të mund të arrihej po ashtu përmes një procesi gjyqësor.

Institucioni, të cilin e udhëheq Jashari, po heton edhe situatën me faturat e ujit për pjesën veriore.

Faturat e ujit, energjisë dhe të shërbimeve të tjera komunale, që nga përfundimi i luftës, nuk janë paguar nga banorët e katër komunave në veri.