Bahtiri kërkon rrëzimin e murit, Rakiq ri-dizajnimin e tij

Bahtiri kërkon rrëzimin e murit, Rakiq ri-dizajnimin e tij

Deklarata e Bashkimit Evropian për respektimin e marrëveshjes së Brukselit në lidhje me revitalizimin e urës mbi lumin Ibër, po shihet në dy mënyra nga autoritetet lokale në komunën veriore të Mitrovicës dhe atyre në komunën jugore të këtij qyteti.

Kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq ka thënë se muri i ngritur nuk do të rrënohet, por do të ri-dizajnohet.

Kurse, kryetari i komunës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri ka deklaruar se ky mur do të rrënohet dhe hapësira do të jetë në shfrytëzim të qytetarëve.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryeinspektori i Ministrisë së Planifikimit Hapsinor në Qeverinë e Kosovës, Bedri Halimi i cili ka vizituar vendin ku është ndërtuar muri. Ai u ka dhënë lejen autoriteteve lokale për rrënimin e këtij muri.

Sipas asaj që shihet aktualisht, muri i lartë 2 metra, është shënuar me një vijë për prerje, apo ri-dizajnim, duke e ulur atë në të ardhmen e afërt në 1 metër e 70 centimetra, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Qytetarët shqiptar nga pjesa jugore e qytetin kanë shprehur bindjet e tyre se ky mur po e thellon ndarjen e qytetit, kurse ata në veri, pjesëtar të komunitetit serb, janë shprehur të habitur, duke mos e ditur në fakt se çka do të pasoj pas këtij ndërtimi.

Muri në veri të qytetit të Mitrovicës u ndërtua papritmas me vendim të autoriteteve lokale të veriut të kësaj komune. Ky mur erdhi në kohën kur tensionet ndërmjet grupeve etnike në qytet u zvogëluan dhe u vlerësua se po niste një periudhë e relaksimit të marrëdhënieve, përfshirë edhe procesin e revitalizimit të urës së Mitrovicës.