Bahtiri: Sot vendoset nëse Pacolli kandidon në Prishtinë

Kandidatët që do ta sfidojnë Shpend Ahmetin për të parin e Prishtinës pothuajse janë zyrtarizuar. Ka mbetur vetëm AKR ajo që po e pret vendimin e kreut të saj që të vendosë nëse do t’i hyjë garës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Nënkryetari i AKR-së Agim Bahtiri thotë se deri në mbrëmje do të vendoset nëse do të jetë ose jo Pacolli në garën e kryeqytetit.

Bahtiri: Sot vendoset nëse Pacolli kandidon në Prishtinë

Zyrtari i Aleancës Kosova e Re (AKR) Agim Bahtiri ka sqaruar për Express të shtunën, se ende nuk është vendosur për kandidatin që ata do ta nxjerrin për Prishtinën.

Bën të ditur se e gjithë kryesia dhe degët e AKR-së e kanë propozuar kreun e tyre Behgjet Pacollin që t’i hyjë garës për zgjedhjet lokale. Por shpjegon se po e presin liderin e tyre ta thotë fjalën e fundit.

“E gjithë kryesia, anëtarësia dhe degët e AKR-së kanë propozuar që në garën për Prishtinë të jetë z Pacolli. Presim që ai të reflektoj pozitivisht” është shprehur Bahtiri, derisa ka shtuar se beson që 90 për qind, Behgjet Pacolli nuk do të kandidojë.

Në garën që do të zhvillohet për Prishtinën tashmë janë emrat që do ta sfidojnë kreun aktual të kësaj Komune Shpend Ahmeti.

Arban Abrashi nga LDK, Arbë Vllahiu nga AAK, Lirak Çelaj nga PDK, Shyqeri Bytyqi nga Nisma si dhe Rifat Deri nga Alternativa, ia kanë mësyrë postit të të parit në këtë komunë, derisa për Pacollin pritet të vendoset sot. Vendimi i takon vetëm atij.

Bahtiri ka thënë se sot merret vesh nëse do të jetë ose jo Pacolli.  “Pra kemi edhe një takim të kryesisë së AKR-së dhe deri në ora 20:00 kemi afat që ta publikojmë kandidatin”, ka shtuar ai.

Në zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 22 tetor, pothuajse të gjitha partitë politike kanë kandiduar kandidatët e tyre për kryetarë ndërsa priten gara interesante në të gjitha komunat e Kosovës.