Bajqinovci replikë Tahirit: Në Karaçevë s’ka pasur ushtarë të KFOR-it, veç pjesëtarë të xhandarmërisë serbe

Bajqinovci replikë Tahirit: Në Karaçevë s’ka pasur ushtarë të KFOR-it, veç pjesëtarë të xhandarmërisë serbe

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i ka reaguar zëvendëskryeministrit, Besnik Tahirit, në seancë e sotme të Kuvendit të Kosovës, lidhur me rastin e futjes së xhandarmërisë serbe në Karaçevë.

Bajqinovci ka thënë se nuk ka pasur ushtarë të KFOR-it në patrullim me xhandarmërinë serbe, teksa ka përmendur mospërputhjen e deklaratave të zyrtarëve të qeverisë.

Deputeti i VV-së gjithashtu ka përmendur kazinotë që janë në atë zonë, për të cilat thotë se janë hapur nga “të fortit e Prishtinës”.

“Replikë ndaj zv. kryeministrit Tahiri në lidhje me hyrjen e ushtrisë serbe në Karaçevë. Zv. kryeministri gjatë deklarimit të tij e tha se kanë defiluar forca serbe bashkë me KFOR-in. Zv.kryeministër nuk kanë defiluar se nuk është paradë ajo, por kanë patrolluar dhe nuk ka pas kurrfarë ushtarësh të KFOR-it. Xhandarmëria serbe e ka patrulluar tokën e Kosovës mbi 500 metra në rrugën e asfaltuar zv.kryeministër. Ju thoni defilim, kryeministri thotë patrullim i përbashkët, ministri i brendshëm thotë kjo gjithmonë ka ndodh. Kur flasim për kazinotë, ato janë hapur nga të fortit e Prishtinës e jo nga karaçevasit. Këto kazino, krimi i organizuar dhe kontrabanda funksionojnë në atë pjesë pa u penguar”, ka deklaruar Bajqinovci në seancë.