Bajrami: Prioritet i qeverisë së ardhshme të jetë arsimi

Bajrami: Prioritet i qeverisë së ardhshme të jetë arsimi

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka organizuar konferencën regjionale “Roli i arsimit të lartë në shoqëritë demokratike”.

Ministri në detyrë, Arsim Bajrami ka thënë se gjatë mandatit të kaluar janë angazhuar për të rritur cilësinë dhe nivelin e edukimit, por ka shtuar se janë ballafaquar me probleme të shumta.

Ai ka thënë se kush do që të jetë ministër i ardhshëm e presin punë dhe sfida të shumta. Ndërsa shtoi se Qeveria e ardhshme duhet ta vë në prioritet arsimin.

“Janë pesë shtylla që duhet të punojmë, e sfida e parë është edukimi cilësor. Nuk ka ekonomi pa edukim cilësor. Cilido ministër që vjen prioritet duhet të ketë edukimin, te rrisin nivelin e universiteteve dhe vetëm kështu mund të rrisim cilësinë tonë si shtet. Sfida e ndërtimit të cilësisë nuk janë te shpejta, por donë plan strategjik. Ne po punojmë në dy drejtime për forcimin e arsimit te lartë dhe cilësisë. Shtylla e dytë është ndërtimin strategjik në tregun e punës. Ne duhet t’i orientojmë universitetet tona në mënyrë që kuadrot të jenë në paralel më kërkesat e tregut te punës. Sfida e tretë konkurrenca dhe transparenca”, ka thënë Bajrami teksa përmendi edhe sfidat për financim të arsimit të lartë në Kosovë.

Rektori i “James Madison University”, Jonathan Alger, ka thënë se edhe pse Kosova e ShBA kanë qenë në kohë zgjedhore nuk i kanë penguar sukseset në arsimit, shkruan Ekonomia Online.

“Arsimi është gjëja më e rëndësishme e një shoqërie të shëndosh. Partneriteti ynë u zhvillua përgjatë disa viteve dhe pastaj kemi pasur memorandumin e mirëkuptimit. Ne shpresojmë që profesorët, stafi e studentët mund të lëvizin para përmes fakulteteve tona. Ky është synimi ynë i përbashkët. Marrëdhënia mes Kosovës dhe universitetit James Madison është në planin kyç dhe jemi zotuar që t’i dalim mbanë marrëveshjes sonë”, ka thënë Alger.

Rektori Marjan Dema para të pranishmëve ka thënë se Universiteti i Prishtinës është universiteti më i vjetër dhe më i rëndësishmi në Kosovë. Dhe se kjo konferencë i kontribuon avancimit të mëtutjeshëm të tij.

“Edhe pas disa dekadave UP vazhdon të jetë vatra e universiteteve në vend. Arsimimi nuk pretendon të jetë zgjidhje e probleme të shoqërisë, por pa të nuk ka zgjidhje të mirë të mundur. Kjo konferencë do të vë në pah aspektin jetik për t’u diskutuar në shoqërinë tonë tranzicionale e cila po ec me hapa të sigurt drejt të ardhmes. Universiteti i Prishtinës që nga fillimi ka plan strategjik, që dmth në çdo proces i kemi përfshi edhe profesorët”, ka thënë ai teksa përfundoi duke thënë se Universiteti i Prishtinës është lider për studentët.