Balje: Po tentohet krijimi i komunave boshnjake që t’i bashkohen Asociacionit të Komunave Serbe

Balje: Po tentohet krijimi i komunave boshnjake që t’i bashkohen Asociacionit të Komunave Serbe

Kryetarja e Unionit Socialdemokrat, Duda Balje, plani i Listës Serbe që të ketë më shumë deputetë nën kontroll në Kuvend nuk është u vetmi rrezik për Kosovën që vjen nga kjo parti politike.

Balje po thotë se Adrijana Hoxhiq bashkë me koalicionin VAKAT kanë për qëllim të kërkojnë krijimin e komunave boshnjake që më pas ato të bashkohen në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duke u bërë sistem paralel i shtetit të Kosovës.

“Adrijana Hoxhiq ka thënë se kusht për votimin e qeverisë është themelimi i disa komunave boshnjake. Në këtë drejtim ne kemi punuar shumë. Por, plani është që pas krijimit të këtyre komunave boshnjake ato t’i bashkëngjiten Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Unë besoj që edhe koalicioni VAKAT është pjesë e këtij plani. Këto komuna do të jenë pjesë e strukturave paralele. Në Dragash, për shembull, nëse lind një djalë mund të nxjerrin certifikatë me vulë të Serbisë dhe mësojnë në gjuhën serbe. Të njëjtën do ta bëjnë edhe në Reçan (Prizren) dhe në Vitomiricë”, ka thënë Balje për KK.

“Shpresoj që shteti do të ndihmojë në këtë drejtim. Ajo çka mund të bëjmë ne është që të përdorim mënyrat ligjore. Jemi në fazën e përgatitjes së ankesës që do të dorëzohet në PZAP, Gjykatë Supreme dhe në fund në Gjykatë Kushtetuese”.

Balje është e bindur që Hoxhiq ka bërë marrëveshje paraprake me Listën Serbe, prandaj edhe mori shumë vota në komunat ku ka shumicë serbe e pak boshnjakë.

“Ne në Graçanicë ndoshta i kemi veç 10 vota, në Novobërdë asnjë. Hoxhiq ka marrë shumë vota atje. Ka serbë që më shkruajnë në Facebook dhe thonë se nuk e njohin e as nuk e kanë parë kurrë Hoxhiq, por se iu kanë thënë ta votojnë atë”, ka thënë Balje. /Insajderi.com