Ballkani shpëtohet në Podgoricë

Mali i Zi është fqinj gjeografik i pashmangshëm i shqiptarëve. Por, këto dhe të tjera momente historike tregojnë se më tepër se kaq: është mik i çmuar. Për Kosovën dhe për Shqipërinë. Duke qenë fqinj gjeografikë të pashmangshëm edhe fatet e shqiptarëve dhe malazezëve, sikur edhe të ballkanasve tjerë, në një mënyrë a një tjetër, janë të lidhura pazgjidhshëm. E ardhmja dhe siguria e shqiptarëve, malazezëve, fqinjëve tjerë dhe krejt europianëve është e ndërlidhur.

Ballkani shpëtohet në Podgoricë

Autor: Baton Haxhiu

E tepërt. Dhe, e pavend. Kështu mund të duket në shikim të parë videoja përmes së cilës Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i jep mbështetje Milo Gjukanoviqit, përkatësisht Socialdemokratëve të tij, para zgjedhjeve të 30 gushtit në Mal të Zi.

Por, kur shikon historinë e këtij njeriu përmes së cilit shpesh përvijohet edhe ajo e vendit të tij, të tepërta dhe të pavenda janë vetëm komentet që e cilësojnë si të tillë.

Historia e suksesit të Milo Gjukanoviqit është historia e suksesit të Malit të Zi. Prandaj, kur Edi Rama prek të kaluarën dhe flet për të ardhmen e këtij shteti, duke i dhënë përkrahjen dhe kërkuar mbështetjen me votë të Milos, ai nuk bën veçse një thirrje për t’i ruajtur ato të arritura dhe ndërtuar mbi to të ardhmen.

Thirrja e Edi Ramës është thirrje për kujdes, që të mos ndodhë që fituesit e zgjedhjeve ta kthejnë historinë e Ballkanit aty ka qenë më 2004. Po si duket përkrahja e Edi Rames për Milon,  dhe pse mediat serbe e citojnë; ” faleminderit milo qe ekziston”, dhe e vendosin në titull në mënyrë selektive, tregon për peshën e deklaratës së Ramës drejtuar kreut të shtetit të Malit të Zi. Dhe ka ngjashmëri tjera përkrahjeje si kjo.

Si miku juaj, më lejoni t’iu them se “Bashkimi Europian e bën Britaninë akoma më të madhe”. Kështu titullohej shkrimi autorial i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, i botuar në The Telegraph, dy muaj para se shteti ishullor të vendoste me referendum nëse do të qëndrojë brenda apo të dalë nga BE-ja.

Kritikat ndaj këtij pozicionimi kaq të hapur nuk ishin të pakta. Madje edhe aleatë të kryeministrit të atëhershëm të Britanisë, David Cameron, i kishin quajtur “të papërshtatshme” komentet e Presidentit Obama. Por, kjo nuk e pati penguar presidentin amerikan që gjatë vizitës në Britani, po gjatë atij muaji ta ritheksojë mesazhin e tij, duke nënvizuar se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e duan një Britani të Madhe të fuqishme si partner”, por që “Mbretëria e Bashkuar është më e fortë, kur është duke kontribuar në udhëheqjen e Bashkimit Evropian”. Madje, Obama, duke komentuar aspektet ekonomike, që ishin argumentet kryesore të mbështetësve të Brexit, pati deklaruar se “ShBA mund të arrijnë një marrëveshje ekonomike me Britaninë, por se ajo do të mbetej pas, meqë ata janë të interesuar që marrëveshje me blloqe të mëdha shtetesh”.

Kësaj radhe zërat e kundërshtues ishin akoma më të ashpër. Por, argumentet e tyre dilnin të pafuqishme përballë një të vërtete të madhe, tek e cila vuri theksin presidenti amerikan: “Mijëra amerikanë që prehen të qetë nëpër varrezat e Europës janë një testament i heshtur i asaj se sa të ndërlidhur janë përparimi dhe siguria jonë”.

Me gjithë trillet e saj, Europa e ka kuptuar këtë të vërtetë, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore. Por, jo edhe gadishulli më i vjetër i saj. Në Ballkan moskuptimi i saj merr përmasa tragjike. Historia e shekullit të XX-të dhe veçanërisht dekadave të tij të fundit e tregojnë më së miri këtë gjë. Popujt e Ballkanit duket sikur akoma vuajnë nga kompleksi i të qenit “i vetmi”. I vetmi në gjithçka, gjithmonë dhe përgjithmonë. Ndërkaq, janë të gjithë bashkë.

Historia e shpërbërjes së Jugosllavisë është testament i kësaj të vërtete. Pasi më 1991 Sllovenia dhe Kroacia u shkëputën nga shteti jugosllav, Serbia dhe Mali i Zi shpallën krijimin e Republikës Federale të Jugosllavisë. Dhe, për pasojë shpërtheu lufta. Një nga një dhe shpesh duke ndihmuar njëri-tjetrin, sllovenët, kroatët, boshnjakët, maqedonasit, shqiptarët dhe në fund malazezët shpallën shtetet e tyre të pavarura. Prishja e Jugosllavisë kishte nisur dhe përfunduar me Malin e Zi. Por, me shpalljen e pavarësisë nga Mali i Zi nuk përfunduan edhe tendencat e ndikimit të Serbisë dhe Rusisë në çështjet e brendshme të Malit të Zi. Në tetor të vitit 2016 ato kulmuan me tentim për grusht shteti. Caku i këtij puçi të mbetur në tentativë ishte kryeministri i atëhershëm, tash president i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Dhe, qëllimi dukej të ishte parandalimi i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Për fat të mirë të malazezëve dhe të të gjithë ballkanasve, e në veçanti të shqiptarëve, puçi u parandalua dhe puçistët u çuan prapa grilave. Idetë dhe idealet e NATO-s dhe Europës së madhe u testuan dhe mbrojtën në shtetin e vogël të Malit të Zi.

Në raport me shqiptarët, Mali i Zi ka qenë po ashtu partner dhe shtet mik. Pas Shqipërisë, është shteti fqinj që më herët se të gjithë të tjerët e ka njohur Kosovën shtet. Dhe, të mos harrojmë, këtë e ka bërë vetëm dy vjet pasi ka shpallur vetë pavarësinë nga Serbia.

Edhe në rastin e demarkacionit të kufirit, gogolit që u shpik për agjenda të brendshme, por që prishi e rrezikoi seriozisht agjenda të jashtme, Mali i Zi u tregua i matur. Përtej marrëveshjes që ishte nënshkruar për demarkim të vijës kufitare tre vjet më parë, presidenti malazez Filip Vujanoviq dhe presidenti kosovar Hashim Thaçi më 2018 patën arritur një aneks marrëveshje, me të cilën krijohej hapësirë për adresimin dhe korrigjimin e lëshimeve eventuale nga marrëveshja e vitit 2015.

Mali i Zi është fqinj gjeografik i pashmangshëm i shqiptarëve. Por, këto dhe të tjera momente historike tregojnë se më tepër se kaq: është mik i çmuar. Për Kosovën dhe për Shqipërinë. Duke qenë fqinj gjeografikë të pashmangshëm edhe fatet e shqiptarëve dhe malazezëve, sikur edhe të ballkanasve tjerë, në një mënyrë a një tjetër, janë të lidhura pazgjidhshëm. E ardhmja dhe siguria e shqiptarëve, malazezëve, fqinjëve tjerë dhe krejt europianëve është e ndërlidhur.

Prandaj, nuk është as i pavend, as i papërshtatshëm dhe as i panevojshëm pozicionimi i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama karshi zgjedhjeve në Mal të Zi, për aq sa nuk ishte as i pavend, as i papërshtatshëm, as i panevojshëm pozicionimi i Presidentit Barack Obama për referendumin në Britani. Problemet që kanë pjellë rezultatet e atij referendumi janë tregues i vërtetësisë së atij pozicionimi.

Thirrja e Edi Ramës për ta mbështetur Partinë Socialdemokrate të Milo Gjukanoviqit në zgjedhjet e 30 gushtit është thirrje për ta ruajtur Malin e Zi dhe idenë e përbashkësisë brenda tij. Partia e Milo Gjukanoviq do të fitojë sipas të gjitha gjasave. Sidoqoftë, sipas të gjitha gjasave opozita e atjeshme nuk do ta njeh rezultatin e zgjedhjeve me synim shtyrjen e vendit drejt trazirave politike. Në këtë ndërmarrje Kisha Ortodokse Serbe pritet të luaj një rol qendror. Me fjalë tjera, Kisha Ortodokse pas zgjedhjeve do të shndërrohet gradualisht nga një institucion religjioz në një institucion opozitar politik.

Prandaj, sfida kryesore e Gjukanoviqit nuk është vetëm fitorja e këtyre zgjedhjeve por edhe ruajtja e stabilitetit të brendshëm pas tyre. Malin e Zi, pra, e pret një episod dramatik politik ku do thyhen shtizat e interesave të ndryshme të vendeve në rajon, për të mos thënë mes Lindjes e Perëndimit në përgjithësi. Në këtë kuptim, mbështetja e Edi Ramës për Gjukanoviqin është largpamëse, parimore dhe e drejtë. Sepse ne Mal te zi ruhet paqja e Ballkanit./Insajderi.com