Banka Zhvillimore sipas ekonomistit të VV-së Bashkim Nurboja

Banka Zhvillimore sipas ekonomistit të VV-së Bashkim Nurboja

Bankat zhvillimore është bankë që shtetet i krijojnë për të mbuluar hendekun e nevojave të investimeve afatmesme dhe afatgjata në sektorë të ndryshëm. Këto institucione nuk janë zëvendësim për institucionet financiar por duhet të shikohen më shumë si plotësuese në arkitekturën financiare të shtetit, të cilat mund të ofrojnë financim shtesë për nevojat sektoriale. Investimet e llojit të kësaj banka tentohet të jenë në infrastrukturë apo në ato sektorë ku vërehet deficiti i investimeve të cilat mund të kufizojnë rritjen ekonomike brenda vendit apo rajonit.

Bankat zhvillimore në shumë shtete luajnë rol të rëndësishëm në ekonomi. Banka të tilla kemi në Kroaci, Slloveni, Hungari, Danimarkë, por kemi edhe banka zhvillimore rajonale siç janë BERZH, ASEAN +Kina etj. Për shembull, në Slloveni kjo bankë në misionin e saj e ka promovimin dhe ndihmesën e firmave që eksportojnë, dhe si rezultat, i financon firmat prodhuese me një kosto shumë të ulët që të jenë konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Në Hungari, Banka Zhvillimore i ndihmon NVM-ve me fokus në prodhim duke ju ofruar qasje në financim me kosto të ulët dhe për afate të mesme dhe të gjata. Në shumë raste banka zhvillimore ofron financim në formë të kredive për infrastrukturë rrugore, energjetike, për ujë të pijshëm, kanalizime; në ato sektorë të cilët i shërbejnë rritjes ekonomike dhe përmirësojnë mjedisin afarist.

Në Kosovë, Banka Zhvillimore do të shërbente shumë në funksion të ekonomisë, duke ofruar kredi afatmesme dhe afatgjata për sektorët me potencial por që i’u mungon qasja në kapital. Sektori bankar në Kosovë, nuk ka arritur të jetë në shërbim të firmave të cilat kanë kërkuar qasje në kapital për investime afatgjata. Diferenca në mes normës së interesit në kredi dhe asaj në depozita është 6 pikë, në përqindje është 600% më lartë norma e interesit në kredi sesa norma e interesit në depozita. Kjo gjendje ka bërë që shumë sektorë të kenë deficit të investimeve. Për më shumë, kjo tregon që ka potencial për banka të reja sepse raportimi i profiteve të bankave është indikator që kjo industri krijon profit ekonomik të lartë. Megjithëse, banka zhvillimore nuk duhet të shikohet si zëvendësuese, por si përmirësuese e arkitekturës financiare në Kosovë. Bashkëpunimi i sektorit bankar me bankën zhvillimore do të sjell sinergji në treg, sepse bankat kanë informata të vlefshme për NVM-ët dhe veprimtarin e tyre.

Bankat zhvillimore zakonisht financohen nga shteti dhe lëshojnë instrumente të borxhit me periudha afatgjata. Shpesh ndodh që edhe shtetet tjera të kontribuojnë me kapital si formë e ndihmës për të përmirësuar ekonominë e një vendi, dhe si kanal më i përshtatshëm për planifikim dhe zbatim të projekteve se sa nëpërmjet qeverive. Në Kosovë, Banka Zhvillimore mund të krijohet me anë të kontributit nga buxheti i Qeverisë, sa për fillim; lëshimi i letrave me vlerë (obligacioneve) për të cilat garant do të jetë qeveria; kredi afatgjate nga bankat zhvillimore rajonale dhe ato nga shtetet e zhvilluara (për shembull: BERZH, KfW etj); dhe pjesëmarrja me kapital të shteteve mike, të cilat do ta zvogëlonin riskun dhe si rezultat koston e financimit. Normal, operimi serioz i bankës, qartësimi për misionin e saj, do ta mundësonte rritjen e bankës zhvillimore në të ardhmen. Vlerësim i projekteve është shumë i rëndësishëm, sepse qëndrueshmëria e vetë bankës do varej nga kthimi i parave të cilat i ka investuar në projekte.

Për fund, Banka Zhvillimore është hallkë e rëndësishme e arkitekturës financiare të një vendi. Andaj krijimi i Bankës Zhvillimore në Kosovë do të sjellte shumë përfitime për sektorët strategjik, por edhe për NVM-ët të sektorëve me interes për shtetin, duke i’u ofruar qasje më të lehtë në financim për periudha afatgjata.

Autori Bashkim Nurboja, Dr.Sc. i Ekonomisë – anëtar i Komitetit për Politika Financiare dhe Tregtare në Lëvizjen VETËVENDOSJE!