Banorët e fshatrave në karantinë rënkojnë për mosbërje të analizave, Kurti dh stafi i tij privilegjohen nga shteti

Banorët e fshatrave në karantinë rënkojnë për mosbërje të analizave, Kurti dh stafi i tij privilegjohen nga shteti

Banorët e fshatrave të Stubllës së Epërme, Bubavecit, Dumnicës së Poshtme kanë pasur një ankesë konkrete për qeverinë.

Të shqetësuar për gjendjen e  tyre, pasi familjarët e të njëjtëve janë prekur nga Covid-19, kanë thënë se atyre nuk u është bërë asnjë analizë deri më tani, shkruan Insajderi.

Derisa banorët dhe drejtuesit e komunave janë duke rënkuar që s’po ju bëhen teste të mjafutshme – ndryshe ka vepruar pushteti.

Albin Kurti dhe i gjithë stafi i zyrës së tij i janë nënshtruar analizave për koronavirus, përkundër se nuk kanë shfaqur asnjë simptomë.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar edhe Përparim Kryeziu, zëdhënësi për media i Qeverisë së Kosovës.

Ai tha se duke e pasur parasysh natyrën e punës së kryeministrit dhe stafit të tij, natyrë kjo që parasheh takime të shpeshta me delegacione vendore dhe ndërkombëtare në funksion të kryerjes së detyrave zyrtare, dhe në kuadër të masave të nevojshme për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19, si masë kujdesi, janë udhëzuar që t’iu nënshtrohen analizave.

“Analizat i ka kryer i gjithë stafi pa përjashtim dhe të gjitha kanë dalë negative”, tha Kryeziu për Insajderin.

Gazeta ka pyetur Kryeziun për numrin e saktë të atyre që i janë nënshtruar analizave, por i njëjti ka thënë se nuk e ka këtë informatë.

Në Kosovë deri më tani është raportuar për 20 persona të infektuar me koronavirus.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në gjithë botën, në total janë: 201,672 njerëz të infektuar, 8,008 të vdekur dhe 82,071 të shëruar./Insajderi.com