Banorët e Kaçanikut paralajmërojnë bllokimin e rrugëve

Banorët e Kaçanikut paralajmërojnë bllokimin e rrugëve

Banorët e disa fshatrave të Kaçanikut kanë protestuar në shenjë pakënaqësie, për dëmet e shkaktuara infrastrukturore gjatë punimeve të Autostradës “Arbën Xhaferi”, nga kompania ndërtuese.

Gjendja e rrugës e cila lidh dhjetë fshatra të Komunës së Kaçanikut paraqitet e rënduar.

Kjo sipas banorëve protestues, për shkak të dëmeve që janë shkaktuar gjatë ndërtimit të Autostradës “Arbën Xhaferi”.

Ata fajësojnë kompaninë ndërtuese ‘Bechtel- Enka’, që sipas tyre nuk i ka riparuar dëmet e shkaktuara gjatë punimeve.

Banorët e këtyre fshatrave thonë se kompania u ka premtuar se do rregullohet rruga, pas përfundimit të punimeve, por se një gjë e tillë ende nuk është realizuar.

“Banorët e kësaj ane prej dy vitesh po përjetojnë një pasiguri të madhe për shkak të ndërtimit të kësaj rruge. Neve na është premtuar se në fund kjo rrugë do të rregullohet sipas standardeve që kërkohen”, shprehet banori Kemajl Murseli.

“Sot kemi dalë për të shprehur revoltën si qytetarë dhe të kërkojmë të drejtën tonë pasi vërtet është shkatërruar kjo rrugë dhe ne po kërkojmë kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme e jo diçka tjetër”, shprehet qytetari tjetër Bekim Kogja.

Kjo gjendje e rrugës u ka shkaktuar humbje edhe bizneseve të kësaj ane. Përfaqësuesit e tyre në shenjë pakënaqësie e kanë nisur një peticion në adresë të Ministrisë së Infrastrukturës, për të ndërmarrë masa.

Kërkesat  e banorë u përkrahën edhe nga zyrtarët komunal.

“Në bazë të marrëveshjes që Ministri ka me kontraktorin, të gjitha rrugët që do të dëmtohen duhet të kthehen në gjendjen e mëparshme. Rruga është jashtëzakonisht e dëmtuar dhe rrezikon jetën e dhjetëra mijërave banorëve të mbi dhjet fshatrave”, tha Ylber Bajra – nënkryetar i Komunës së Kaçanikut.

Banorët marshuan edhe te baza e kompanisë “Bechtel- Enka”, por se ata mbeten pa marrë ndonjë përgjigje pasi nuk u priten nga askush.

Më këtë rast u shprehen se nëse deri të dielën nuk marrin ndonjë përgjigje nga kompania dhe mistria e infrastrukturës, ata do ta bllokojnë rrugën për të pamundësuar  qarkullimin e  veturave.

Përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës për RTV Dukagjini thanë se demet e shkaktuara do të sanohen nga kompania kontraktuese, pasi kjo është e rregulluar me kontratë.