Barrierat tregtare nga Kroacia indinjojnë Ballkanin

Barrierat tregtare nga Kroacia indinjojnë Ballkanin

Barrierat tregtare të Kroacisë si anëtare e BE-së po indinjojnë Ballkanin. Siç bën të ditur “Deutsche Welle”, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë njoftuar se do të ankohen te Komisioni i BE-së, në mënyrë që ai të gjykojë konfliktin mes Kroacisë e fqinjëve.

Edhe pse kërkesa me shkrim nuk ka mbërritur, Komisioni po verifikon situatën, siç bëri të ditur një zëdhënës në Bruksel. Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia, që duan të hyjnë në BE, i akuzojnë autoritetet kroate se po pengojnë masivisht importin e produkteve të tyre bujqësore.

Kroacia, që prej javës së kaluar kërkon tarifa jashtëzakonisht të larta për inspektimin e frutave dhe perimeve që futen në kufijtë e jashtëm të BE-së. Në vend të 12 eurove si deri më sot, tani kërkohen 270 euro për maune.

Menaxhimi i importeve është i çalë e në kalimet kufitare ka bllokim të trafikut të mauneve.

Frutat dhe perimet e kultivuara në mënyrë organike mund të mbahen deri në 30 ditë në kufi. Sipas ministrit serb të Tregtisë, Rasim Ljajiç, bëhet fjalë për masa proteksioniste, për të mbrojtur tregun nga importet me çmim më të ulët, përcjell top channel.

Por pala kroate e hedh poshtë akuzën. Rregullat e reja, sipas të dhënave kroate vlejnë për të gjitha vendet jo anëtare të BE-së. Serbia dhe 3 vendet e tjera ballkanike fqinjë kërcënojnë me kundërmasa.