Basha takohet me Osmanin, premton heqjen e taksës në Rrugën e Kombit

Basha takohet me Osmanin, premton heqjen e taksës në Rrugën e Kombit

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka pritur të premten në takim ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njofton Insajderi.

Pas takimit, Basha premtoi se sapo të marrë drejtimin e qeverisë do të ndryshojë qasjen e Tiranës në mbështetje të institucioneve të Kosovës, duke shtuar se vendimi i parë do të jetën heqja e traut në Rrugën e Kombit.

“I domosdoshëm, një qëndrim i unifikuar mes Prishtinës dhe Tiranës në arenën ndërkombëtare për çdo gjë që lidhet me Kosovën. Pas 25 prillit, do të ketë një kthesë rrënjësore të qasjes së Tiranës në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës dhe në vendosjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë në rrafsh të parë, duke zhbërë rënien e nivelit të bashkëpunimit gjë që është e papranueshme. Në themel të ekzistencës sonë, ka qenë çështja kombëtare. Krenar që personalisht, por edhe si pjesë e PD-së, kemi bërë gjithçka për pavarësinë e Kosovës”.

“I brengosur, që në një kohë të vështirë për Kosovën, nuk ka mbështetjen e duhur nga Shqipëria. Kjo do të ndryshojë. Duhet të eliminojmë barrierat zyrtare dhe jozyrtare, që pengojnë integrimin ekonomik. Përsëris zotimin për heqjen e traut në Rrugën e Kombit”, deklaroi Basha gjatë një konference për media, ku e pranishme ishte edhe Vjosa Osmani.

Ndërsa, Osmani tha për këtë çështje se Kosova dhe Shqipëria duhet të unifikojnë zërat për këto krime që kanë ndodhur në Kosovë dhe të mos lejojnë që historia të ndryshohet nga agresorët.

Basha dhe Osmani përsëritën edhe njëherë rëndësinë për miratimin e rezolutës nga Kuvendi i Shqipërisë për të dënuar gjenocidin serb, gjë për të cilën kryedemokrati u zotua se do të realizohet pa vonesë, pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Kuvendi i ri i Shqipërisë do të votojë pa vonuar rezolutën që dënon gjenocidin serb. Nuk mund të lejojmë që historia të shkruhet nga agresorët. Do të vazhdojmë të mbështesim dialogun, ku pa diskutim përfundimi duhet të jetë njohja e ndërsjellë që i jep fund një kapitulli të dhimbshëm”, tha Basha./Insajderi.com