
Protesta e opozitës mbahet paqësisht në Tiranë. Kreu demokrat shpalos në fjalën e tij atë që quan programi i republikës së re.
Basha përsërit tezën tre mujore se vetëm zgjedhje të lira dhe qeveri teknike janë zgjidhja e krizës. Ai tha se opozita nuk do të lejojë zgjedhje moniste por ju përgjigj kritikëve se lëvizja që ai drejton është paqësore.
“Ne jemi dhe ju jeni bashkuar dhe u kemi thënë se zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë, zgjedhje me krimin dhe drogën nuk ka dhe nuk do të ketë. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike që nxjerr jashtë kriminelët, që lufton drogën dhe u kthen shqiptarëve besimin dhe garancinë te vota e tyre e lirë. Nuk ka forcë më të madhe se forca e bashkimit tuaj. Nuk ka forcë më të shenjtë se forca e kauzës sonë të drejtë. Ndaj sot jemi 5, 10, 15 herë më shumë se dje e nesër do të jemi edhe më shumë. Partia Demokratike që ju e lindët për kauzën e madhe të pruralizmit bëhet çdo ditë më e madhe dhe më e fortë duke luftuar me ju dhe për ju për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha ai.
Ai foli se si do të jetë Republika e re, duke përmirësuar jetën në ekonomi, shëndetësi, arsim.
“Shikojeni njëri-tjetrin në sy teksa Zoti na sheh. A ka forcë më të madhe në këtë Shqipëri se ky bashkim? A ka forcë më të madhe në këtë Shqipëri, se kjo qëndresë? Por që beteja jonë të përmbyllet me fitoren totale, ajo është akoma në dorën tuaj dhe unë kam një pyetje për ju. Nuk ju kërkoj asnjë sakrificë tjetër. Ju lus që gëzimin dhe paqen ta merrni me vete në fund të këtij referendumi popullor e të shpërndajmë lajmin e mirë në çdo fshat e çdo qytet, por pyetja ime është kjo. A jeni gati të qëndrojmë të bashkuar? E të bashkohemi përsëri këtu në këtë shesh derisa Republika e Re të jetë realiteti institucional, kushtetues dhe qytetar me zgjedhjet e lira dhe të ndershme që po vijnë”, ka thënë ai.
Basha ka shtuar se me Republikën e Re duhet ta ndërpresin një herë e përgjithmonë lidhjen mes krimit dhe politikës, diktatin e drogës dhe jetën e qytetarëve shqiptarë.