Bashkëshortët nga Londra akuzohen për vrasjen e fëmijës së adoptuar në Indi

Bashkëshortët nga Londra akuzohen për vrasjen e fëmijës së adoptuar në Indi

Një çift që jeton në Londër, rrezikojnë të ekstradohen në Indi, nën akuzat vrasjen e djalit të adoptuar, për përfitime materiale.

Arti Dhir dhe Kaval Raijada, nga pjesa perëndimore e Londrës, mohojnë të kenë aranzhuar vrasjen e 11-vjeçarit Gopal Sejani në vitin 2017, për të përfituar një pagesë nga kompania e sigurimeve, transmeton Telegrafi.

Deri më tani, Britania e Madhe ka hedhur poshtë kërkesat për ekstradimin e 55-vjeçares dhe bashkëshortit të së saj 30-vjeçar, për t’u përballur me gjyq në Indi, shkaku i të drejtave të njeriut. Megjithatë, qeverisë indiane i është dhënë leja, për të apeluar vendimin.

Burri dhe gruaja, nga Hanwell, kishin udhëtuar në Keshod, një qytet në Gujarat, për të adoptuar një jetim në vitin 2015.

Sipas dokumenteve të gjykatës, transmeton Telegrafi, autoritetet indiane thonë se çifti vendosi një shpallje në një gazetë lokale, duke premtuar se do ta adoptonin një fëmijë dhe ta merrnin për të jetuar në Londër.

Ata u njohën me Gopalin, një djalë që jetonte në një fermë me motrën e tij më të madhe dhe burrin e saj, të cilët u pajtuan që fëmija të adoptohej dhe të shkonte për një jetë më të mirë në Britani të Madhe.

Policia indiane, pretendon se bashkëshortët britanik – të cilët nuk kishin fëmijë të tyre – kishin plane të tjera. Autoritetet në Indi thonë se Znj Dhir, siguroi një polisë sigurimesh në emër të Gopal.

Raportohet se polisa vlente rreth 175 mije euro, duke i siguruar kompensime deri në dhjetë vjet, apo në rast të vdekjes së tij. Sipas dokumenteve, ajo bëri edhe dy pagesa premium, secila prej rreth 17,500 eurove.

“Pas disa ditësh, ajo mori polisën e sigurimeve në emër të saj”, ka thënë për BBC, një zyrtar i lartë i policisë në Gujarat. “Ishte një shumë e madhe dhe ajo e pagoi në dy premiume, duke e ditur shumë mirë se në rast të vdekjes së Gopal, asaj do t’i paguhej 10 herë shuma e siguruar”.

Derisa çifti u kthyen në shtëpi, Gopal nuk arriti kurrë në Londër, megjithëse ishin rregulluar shumica e dokumenteve për vizë.

Më 8 shkurt 2017, ai u rrëmbye nga dy burra me motoçikleta, u qëllua me thikë dhe u la nga një rrugë në Gujarat. Dhëndri tij, transmeton Telegrafi, gjithashtu është qëlluar me thikë, derisa të dy vdiqën në spital nga plagët e marra, disa muaj më vonë.

Autoritetet indiane kanë bërë të ditur se ndaj fëmijës, janë bërë edhe dy përpjekje për rrëmbim, vetëm se nuk dolën të suksesshme. Kompania e sigurimeve, nuk e ka bërë asnjë kompensim monetar lidhur me vdekjen e tij.

Në mesin e gjashtë të akuzuarve, për rrëmbimin dhe vrasjen e fëmijës, është edhe një i dyshuar, që ishte shok me çiftin britanik, pasi kishin qëndruar së bashku derisa ishte për studime.

Zonja Dhir dhe Z. Raijada, të cilët përballen me gjashtë akuza në Indi, duke përfshirë komplotin për vrasje dhe rrëmbim, u arrestuan në Britani të Madhe në qershorin e vitit 2017, pas një kërkese nga qeveria indiane.

Të dy i kanë mohuar pretendimet, derisa mbrojtja e tyre është arsyetuar se nuk ka ndonjë lidhje direkte që i lidhë me rastin e kryer në indi. Derisa, ata kanë mbetur të liruar me kusht, deri në një vendim tjetër të gjykatës.

Shkaku i dënimit me burg të përjetshëm pa leje ankese, që jepet për vrasje të dyfishtë në Indi, gjykata në Britani të Madhe nuk po e lejon ekstradimin e tyre, sepse është ndesh me të drejtat e njeriut.

Zonja Dhir, ka refuzuar t’i përgjigjej një gazetareje të BBC-së, lidhur me akuzat.