Bashkëshorti i Vjosa Osmanit deklarohet për gradimin e tij të dyshimtë nga MPJ – e konsideron të vonuar

Bashkëshorti i Vjosa Osmanit deklarohet për gradimin e tij të dyshimtë nga MPJ – e konsideron të vonuar

Prindon Sadriu për të cilin Insajderi publikoi gradimin e dyshimtë të tij në ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës e ka quajtur të pastërt gradimin e tij.

Përkundër që ishte publikuar letra e drejtorit të përgjithshëm, Albert Prenkaj i cili kishte kërkuar rishqyrtim të këtij vendimi me arsyetimin se ai nuk kishte bërë një rekomandim të tillë, bashkëshorti i deputetes së LDK-së, Vjosa Osmanit e ka quajtur të vonuar gradimin e tij.

Ai në Facebook, ka thënë se gradimi i tij nga kjo ministri ka qenë i pastërt, madje sipas tij kjo e drejtë i ishte mohuar për vite.

“Procesi i gradimit tim është proces i rregullte dhe i pastër i rotacionit pa asnjë shkelje ligjore. Krejt çka është joligjore është fakti se mu ka mohuar e drejta ligjore për gradim që nga themelimi i Ministrisë e tutje”.

“Për ata që e njohin shërbimin e jashtëm, e dinë mirefilli se jam personi me përvojën më të gjatë në Ministrinë e Jashtme i cili asnjëherë nuk ka shërbyer në mision të rregullt, përkundër përvojës 14 vjeçare në diplomaci dhe marrëdhënie me jashtë”, ka shkruar ai, raporton Insajderi.

Lexo hulumtimin e plotë:

Ministria e Behgjet Pacollit gradon kundërligjshëm bashkëshortin e Vjosa Osmanit

Insajderi gjatë ditës së sotme, publikoi hulumtimin për gradimin e dyshimtë të bashkëshortit të Vjosa Osmanit.

Drejtori i Përgjithshëm Albert Prenkaj, i ka dërguar letër ministrit Pacolli duke i kujtuar se ai nuk kishte dhënë asnjë rekomandim për Sadriun.

Insajderi ka siguruar letrën e drejtorit të përgjithshëm i cili kërkon që Pacolli ta rishqyrtoj edhe njëherë vendimin e tij për gradimin e Prindon Sadriut. Ai e qartëson se në asnjë formë nuk ka dhënë propozim për një gradim të tillë.

“Drejtori i përgjithshëm, në asnjë formë nuk ka ofruar ndonjë propozim për subjektin e vendimit datë. 15.07.2019”, thuhet në vërejtjen që drejtori i përgjithshëm i ka dërguar ministrit Pacolli.

Burimet e Insajderit thonë se vendimi për gradimin e Sadriut është bërë vetëm këtë të hënë, por që në dokumentin zyrtar i referohen të datës 15 të këtij muaji.

Në vendim për gradimin e bashkëshortit të deputetes së LDK-së, thuhet se Sadriu merr gradën diplomatike “Ministër”. Po ashtu saktësohet se Sadriu do të shërbej në misionin diplomatik të Kosovës në Shkup të Maqedonisë Veriore me mandat 4-vjeçar.

“Vërejtje; Në lidhje me nenin 21, paragrafi 1, tek elementi: ‘…ngritja në detyrë e nëpunësit të shërbimit të jashtëm…’ Drejtori i përgjithshëm, në asnjë formë nuk ka ofruar ndonjë propozim për subjektin e vendimit datë. 15.07.2019”, thuhet në letrën e drejtorit të përgjithshëm.

Lexo hulumtimin e plotë:

Ministria e Behgjet Pacollit gradon kundërligjshëm bashkëshortin e Vjosa Osmanit

Prenkaj po ashtu në vërejtjet e tij që i ka dërguar ministrit Pacolli ka përmendur se vendimi i kundërligjshëm me bashkëshortin e deputetes së LDK-së mund të krijoj kaos në këtë ministri. Thotë se janë më shumë se 50 diplomatë me gradën Ministër Këshilltarë, me tendencë rritje.

Sipas tij rasti i Sadriut mund të ndikojë që të gjithë ministrat këshilltarë që t’i vërsulen MPJ-së.  Thotë se mund të jenë të nxitur pikërisht nga rasti i Sadriut.

“Më lejoni të ri përsëris se në kuadër të Shërbimit të Jashtëm kemi mbi 50 diplomatë me gradën Ministër Këshilltarë, me tendencë në rritje. MPJ mund të gjendet para një tendence për vërsulje të të gjithë ministrave këshilltarë që me inercion të kërkojnë avancim në gradë, meqë subjekti i vendimit, datë 15.07.2019, Nr.Ref. 335/2019, mund të shërben si precendat. Them këtë duke aluduar në problemin e natyrës logjistike dhe financiare, pa abestuanur në asnjë mënyrë aspektin e nivelit të kompetencës profesionale që shkakton domosdoshmërish një rritje e nivelit të gradave, tashmë nga ministri këshilltar në ministër”, thuhet në letrën e drejtorit të përgjithshëm.