Bashkëshorti i Vjosa Osmanit për gradimin e dyshimtë, sulmon ministrin e LDK-së dhe ata të PDK-së

Bashkëshorti i Vjosa Osmanit për gradimin e dyshimtë, sulmon ministrin e LDK-së dhe ata të PDK-së

Prindon Sadriu, bashkëshorti i deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmanit, po e konsideron krejtësisht të rregullt gradimin e tij nga ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli, përkundër që drejtori i përgjithshëm i kësaj ministria ka kërkuar rishqyrtim të këtij vendimit, pasi që sipas tij nuk e kishte rekomanduar për pozitën çfarë është graduar Sadriu.

Madje, Sadriu ka thënë se i është bërë padrejtësi nga ministrat e kësaj ministrie pasi që sipas tij, gradimin e kishte merituar qysh vite më parë. Ka fajësuar ministrat e kësaj ministrie duke përfshirë edhe Skender Hysenin e LDK-së që mbante këtë pozitë, si dhe ministrat e tjerë nga PDK, shkruan Insajderi.

Bashkëshorti i Vjosa Osmanit, në një reagim të tij ka thënë se rekomandimi për gradim dhe shërbim jashtë shtetit është dhënë në fillim të viti 2010. Thotë se një rekomandim i ngjashëm ishte bërë edhe në fillim të këtij viti.

“Si fillim, e drejta për gradim specifikohet në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Në përputhje me Ligjin në fjalë, Drejtori i Përgjithshëm i MPJ-së ka dhënë Rekomandim decidiv për gradim dhe shërbim jashtë vendit. Ky Rekomandim është bërë fillimisht më datë 19 prill 2010 (shih të bashkangjitur shkresën MPJ-ZSP 106/2010) dhe më pas më datë 03 mars 2019 (shih shkresë e bashkangjitur)”.

“Krahas saj, dhe në përputhje me Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm është bërë edhe vlerësimi pozitiv i punës nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm me nota maksimale. Për më shumë, në shkresën e dërguar nga Kryetari i Komisionit për Grada të MPJ-së Ministrit të Punëve të Jashtme, datë 30.04.2019 jepet rekomandim nga ky autoritet për ngritje me një gradë Diplomatike, në përputhje me Rekomandimin e Drejtorit të Përgjithshëm të dates 03.03.2019. Prandaj, procesi i gradimit dhe rrjedhimisht rotacionit, edhe pse shumë i vonuar në rastin tim, është në përputhje të plotë me Ligjin”, ka shkruar Sadriu në reagimin e tij.

Lexo hulumtimin e plotë për gradimin e dyshimtë të bashkëshortit të Vjosa Osmanit:

Ministria e Behgjet Pacollit gradon kundërligjshëm bashkëshortin e Vjosa Osmanit

Bashkëshorti i Vjosa Osmanit më tutje pretendon se është shkelur ligji për shërbim të jashtëm, pasi që nuk ishte caktuar të shërbejë  jashtë vendit.

Ai pretendon se i është mohuar e drejta për gradim që nga viti 2008 deri në vitin 2016, ministër në të cilin periudhë kishte qenë edhe Skender Hyseni nga LDK si dhe ministra të tjerë nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Për sqarim të mëtutjeshëm të opinionit, më duhet të theksoj se deri te ky Vendim, mbetem diplomati i vetëm, më senior në Ministri i cili asnjëherë NUK është caktuar nga asnjë Ministër për të shërbyer me mandat të plotë jashtë vendit, në kundërshtim të plotë me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm, Nenin 9 dhe 14.3 dhe parimin e rotacionit të diplomatëve. Gjithashtu, në kundërshtim me Ligjin, më është mohuar e drejta në gradim dhe avancim nga viti 2008-2016 pas asnjë arsyetim të vetëm”.

“Kjo sepse në takim e parë të Komisionit për Grada dhe Disiplinë në historinë e Ministrisë, të mbajtur më datë 19 prill 2010 numër reference MPJ-ZSP 106/2010, ky Komision ka vendosur PËR të drejtën time për t’u graduar. Bazuar në përmbushjen e gjitha kritereve ligjore, megjithatë, pa asnjë arsye, Ministri i Punëve të Jashtme i asaj kohe dhe gjithë ministrat pasues deri në vitin 2016 NUK më kanë graduar e as avancuar duke vepruar në kundërshtim me Ligjin dhe në kundërshtim me Vendimin e Komisionit për Grada dhe Disiplinë. Për më shumë, duke mbajtur çështjen e gradimit tim pezull, këta ministra më kanë mohur edhe të drejtën për ushtrim të Ankesës për mosdhënie të gradës si e drejtë ligjore, në shkelje të nenit 16 të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm”.

“Për dallim nga disa të cilët kanë arritur në pozitën e Ambasadorit brenda 2-3 viteve (disa edhe brenda natës), unë edhe pas 14 viteve përvoje pune profesionale dhe menaxheriale, padrejtësisht nuk kam arritur t’a mbajë gradën e ambasadorit”, ka shkruar Sadriu në reagimin e tij.

Por situatë krejtësisht ndryshe po e sheh drejtori i përgjithshëm i kësaj ministrie Albert Prenkaj. Ai disa ditë më parë i ka shkruar ministrit Behgjet Pacollit duke i kërkuar ta rishqyrtoj vendimin për gradimin e Prindon Sadriut.

Lexo hulumtimin e plotë për gradimin e dyshimtë të bashkëshortit të Vjosa Osmanit:

Ministria e Behgjet Pacollit gradon kundërligjshëm bashkëshortin e Vjosa Osmanit

Ai në letrën e tij i sqaron Pacollit se për gradimin e Sadriut ka qenë e nevojshme rekomandimi nga ana e tij si drejtor i përgjithshëm. Prenkaj thotë se në asnjë mënyrë ai nuk kishte rekomanduar bashkëshortin e Vjosa Osmanit për një gradim të tillë.

“Drejtori i përgjithshëm, në asnjë formë nuk ka ofruar ndonjë propozim për subjektin e vendimit datë. 15.07.2019”, thuhet në vërejtjen që drejtori i përgjithshëm i ka dërguar ministrit Pacolli që kishte siguruar Insajderi.

Prenkaj po ashtu në vërejtjet e tij që i ka dërguar ministrit Pacolli ka përmendur se vendimi i kundërligjshëm me bashkëshortin e deputetes së LDK-së mund të krijoj kaos në këtë ministri. Thotë se janë më shumë se 50 diplomatë me gradën Ministër Këshilltarë, me tendencë rritje.

Sipas tij rasti i Sadriut mund të ndikojë që të gjithë ministrat këshilltarë që t’i vërsulen MPJ-së.  Thotë se mund të jenë të nxitur pikërisht nga rasti i Sadriut.

“Më lejoni të ri përsëris se në kuadër të Shërbimit të Jashtëm kemi mbi 50 diplomatë me gradën Ministër Këshilltarë, me tendencë në rritje. MPJ mund të gjendet para një tendence për vërsulje të të gjithë ministrave këshilltarë që me inercion të kërkojnë avancim në gradë, meqë subjekti i vendimit, datë 15.07.2019, Nr.Ref. 335/2019, mund të shërben si precendat. Them këtë duke aluduar në problemin e natyrës logjistike dhe financiare, pa abestuanur në asnjë mënyrë aspektin e nivelit të kompetencës profesionale që shkakton domosdoshmërish një rritje e nivelit të gradave, tashmë nga ministri këshilltar në ministër.

“Ju lus që të ri shkurtohet vendimi i datës : 15.07.2019, Nr Ref.335/2019, dhe të nxjerrët një vendim i ri, në mënyrë që subjektit të vendimit në fjalë t’i mundësohet kalimi në mision diplomatik me gradën të cilit i është lëshuar me vendim paraprak” përfundon letra e drejtorit të përgjitshëm drejtuar Pacollit./Insajderi.com

Lexo hulumtimin e plotë për gradimin e dyshimtë të bashkëshortit të Vjosa Osmanit:

Ministria e Behgjet Pacollit gradon kundërligjshëm bashkëshortin e Vjosa Osmanit