Bashkëshortja e Ukë Rugovës reagon ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës në lidhje me Ibrahim Rugovën

Bashkëshortja e Ukë Rugovës reagon ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës në lidhje me Ibrahim Rugovën

Sot gjatë ditës, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se nuk mund të ketë bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa të ndryshojnë qëndrim për ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Por, kësaj deklarate të Hazirit, i është përgjigjur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai në një intervistë për Insajderi, ka thënë se deklarimet e Hazirit, janë propagandë palidhje me emrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“E kisha lutë Lutfi Hazirin mos të bëjë propagandë palidhje me emrin e Ibrahim Rugovës, për ta sulmuar tjetërkënd, se kështu politika nuk bëhet”, ka thënë Konjufca për Insajderi.

E ndaj kësaj deklarate të Konjufcës reagoi sot Blerta Kllokoqi-Rugova, bashkëshortes së birit të Ibrahim Rugovës, Ukës. Ajo, duke aluduar në Glauk Konjufcën, ka thënë se ata që i hudhin poshtë deklarimet e Lutfi Hazirit do duhej të përkuleshin paraprakisht tek varri i Ibrahim Rugovës.

“Të gjithë ju që flisni e mundoheni të hudhni poshtë deklarimet e Nënkryetarit të LDK-së dhe njëherit Ministrit të vetë Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Zt. Lutfi Haziri, ju rekomandoj të shkoni e të përkuleni para vendit ku pushon i qetë arkitekti i Kosovës shtet i lirë, pavarur e demokratik Dr. Ibrahim Rugova, e të i tregoni botës se edhe ju si e GJITHË BOTA vlerësoni lartë figurën, jetën dhe veprën e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova”, ka shkruar Blerta Kllokoqi-Rugova në Facebook.

“Vetë Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova dhe po ashtu familja e tij, akterë dhe dëshmitarë kryesor të të gjitha shpifjeve e propagandave ndaj Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova në kohën kur Presidenti po jepte edhe frymën e fundit duke punuar për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”, ka shkruar ajo. /Insajderi.com