Bastiset diskoteka e zv/kryeministrit të Kosovës – arrestohet shefi i sigurimit

Bastiset diskoteka e zv/kryeministrit të Kosovës – arrestohet shefi i sigurimit

Policia e Kosovës ka bastisur të shtunën lokalin e natës “City Club” në Shtërpcë, lokal ky që është në pronësi të Milosav Grbiç, por që Insajderi merr vesh se pas tij fshihen, zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtiç dhe kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, shkruan Insajderi.

Është arrestuar shefi i sigurimit të këtij lokali, i njohur me emrin “Jozha” dhe një person tjetër.

Sipas asaj që merr vesh Insajderi, qytetarë të shumtë të kësaj pjesë ankohen vazhdimisht tek Policia e Kosovës, më saktësisht tek policia në Shtërpcë për dhunën që përdoret nga pjesëtarët e sigurimit të këtij lokali.

Ngjashëm merret vesh se kishte ndodhur edhe të shtunën. Qytetarët kishin kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, por nga rajoni i Ferizajt.

Rastin e ka konfirmuar për Insajderin, Agim Gashi zyrtar për informim në Policin e Kosovës nga Ferizaj. Ka thënë se pas një përleshje policia ka intervenuar ku ka arrestuar dy persona të cilët janë në mbajtje. Sipas tij, dy personat kanë përdorur dhunë dhe nuk i janë bindur zyrtarëve policorë.

“Qytetarët kanë pasur përleshje me dy personat të cilët janë arrestuar dhe janë në mbajtje. Policia e ka kryer punën e saj si zakonisht dhe kaq mund të them për këtë rast”, ka deklaruar Gashi për Insajderin.

Insajderi ka siguruar edhe fotografi të dy personave të cilët kanë qenë viktimë të shefit të lokalit që prapa tij qëndrojnë zv/kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Shtërpcës.

Në fotografitë e siguruara nga Insajderi ata shihen të gjakosur nga dhuna e përdorur ndaj tyre.

Insajderi merr vesh nga burimet e veta se raste të dhunës në atë pjesë nga sigurimi i lokalit “City Club” janë të shpeshta, ku qytetarët kërkojnë ndihmë nga Policia e Kosovës. Në anën tjetër sigurimi i këtij lokali është duke funksionuar pa licencë ashtu siç funksionon edhe vetë i gjithë biznesi./Insajderi.com