Bastisje speciale

Bastisja e zyrave të OVL-së dhe arrestimi i Gucatit e Haradinajt – çfarë ndodhi sot?

Është bastisur zyra e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është arrestuar kryetari i saj, Hysni Gucati. Është arrestuar nënkryetari, Nasim Haradinaj. Gucati është dërguar në Hagë, Haradinaj në selinë e EULEX-it në Prishtinë. Të gjitha këto kanë ndodhur, por ende nuk ka një informim zyrtar që tregon përse.

Bastisja e zyrave të OVL-së dhe arrestimi i Gucatit e Haradinajt – çfarë ndodhi sot?

Në mes një paqartësie që po vazhdon ende, gjatë ditës së sotme në Prishtinë janë bastisur zyrat e Organizatë së Veteranëve të Luftës dhe janë arrestuar kryetari i saj, Hysni Gucati e nënkryetari, Nasim Haradinaj, shkruan Insajderi.

Gjithçka ka filluar në orët e para të së premtes, kur zyrtarë të armatosur të EULEX-it kanë rrethuar fillimisht dhe më pas bastisur zyrat e OVL-së së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL – UÇK).

Pas lajmeve të para për nisjen e bastisjes, mediat janë mbledhur para objektit që po kontrollohej nga EULEX-i, por nuk ka pasur prononcime se çfarë po ndodhë.

Paqartësia ka vazhduar derisa, sekretari i OVL-së, Faton Klinaku, ka dalur i indinjuar duke u ankuar me sjelljen e zyrtarëve të misionit evropian në Kosovë.

Ai, është treguar i ashpër me fjalët, derisa nuk ka hezituar t’i cilësoi edhe si “kriminelë” ata që po bastisnin zyrat.

“Këtyre nuk iu besohet, këta bëjnë montazha, as përkthyes nuk kanë”, ka thënë ai.

 “Edhe Jugosllavia ka bërë kështu, por jemi detyruar t’i kundërpërgjigjemi. Nëse shteti nuk merr masa, do të detyrohemi ne ta bëjmë”, ka vazhduar Klinaku, duke iu referuar atyre që po ua bastisin zyrën si “këta kriminela”.

Shteti, përmes policisë, ka reaguar, por vetëm duke asistuar zyrtarë e EULEX-it, që po vazhdonin të qëndronin brenda zyrave.

I kontaktuar nga Gazeta Online Insajderi, nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se personalisht nuk gjendet në zyrë, ndaj s’e di sigurt se çfarë po ndodhë, porse ka autorizuar avokatin e organizatës të shkojë në vendin e ngjarjes.

Avokati Tomë Gashi, është parë te selia e OVL-së, por jo për të shpjeguar se çfarë po ndodhte, meqë as ai nuk ka pasur informacione shpjeguese.

Pasi ka kaluar një periudhë kohore, është kuptuar se përveç bastisjes, zyrtarët e EULEX-it, kishin arrestuar edhe kryetarin e OVL-së, Hysni Gucatin.

Se Gucati u arrestua është bërë e ditur nga Haradinaj, i cili u tha mediave se ka pranuar një telefonatë nga Gucati, i cili ka thënë se “më kanë arrestuar dhe do të më dërgojnë në Hagë”.

Më vonë u konfirmua se ishte ashtu dhe pas një kohë Gucati, me pranga në duar, është parë ta lironte objektin e OVL-së.

Në atë kohë një grumbull prej dhjetëra veteranësh u mblodhën dhe prisnin jashtë, derisa EULEX-i vazhdonte brenda.

Në një moment ka pasur edhe një incident verbal, por që ka kaluar pa të arrestuar në mes të veteranëve që shtronin pyetje dhe policisë së Kosovës që s’kishte përgjigje për ta.

Ndërsa ende nuk është kuptuar nëse arrestimi i Gucatit vjen për shkak të ndonjë aktakuze eventuale të ngritur pas hetimeve të Gjykatës Speciale, apo lidhet me dosjet e publikuara nga OVL, e që më vonë u mor vesh se janë dokumente origjinale të Speciales.

Në ndërkohë, derisa Gucati u arrestua, OVL ka mbajtur një mbledhje urgjente.

Takimi u mbajt në një lokal përballë zyrave të organizatës.

Kurse, Nasim Haradinaj, deklaroi se nuk e ka ndërmend të shkojë në zyrë e të arrestohet njëjtë siç ndodhi me kryetarin e tij.

 “Nuk do të hyjë brenda sepse tash kryetarin (Hysni Gucati) ata veç e kanë arrestuar, dhe mua kryetari më thirri që duhet me qenë prezent dhe më ka thirrë që po thonë edhe ata, por unë atyre nuk u bindem dhe nuk shkoj. Përndryshe erdha në Prishtinë, do të jem këndej por nuk shkoj aty”, deklaroi Haradinaj.

Në zyrë nuk ka shkuar, por megjithatë nuk i shpëtoi arrestimit.

Ai është ndaluar para hyrjes së një televizioni kosovar, ku ishte ftuar të fliste për zhvillimet që po vazhdonin.

Haradinaj nuk i ka rezistuar arrestimit, por nuk pranonte të futej në veturën e EULEX-it. Ai më pas ka pranuar të bartet me veturat e policisë së Kosovës, derisa më vonë është parë të dërgohet në zyrat e EULEX-it në Prishtinë.

Në ndërkohë Gucati u njoftua se po dërgohej në Hagë.

Për arrestimin e Gucatit e Haradinajt dhe bastisjen e OVL-së kanë reaguar ish komandantë të UÇK-së, përfshirë këtu edhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Konsideroj se nuk ka arsye për operacione e bastisje, sepse secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë”, tha, pos tjerash Haradinaj, në një postim në Facebook.

Kurse, deri më tani, s’ka pasur ndonjë sqarim zyrtar as nga Gjykata Speciale, e as nga EULEX-i./Insajderi.com