Batatina zbulon se është takuar me Salihun – e quan “njeriun e vetëm legjitim të FFK-së”

Batatina zbulon se është takuar me Salihun – e quan “njeriun e vetëm legjitim të FFK-së”

Trajneri i KF Llapit, Tahir Batatina, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se përfaqësuesit e klubeve të Superligës kanë mbajtur një takim me sekretarin e FFK-së, Eroll Salihun.

Sipas Batatinës, ky takim është mbajtur për të diskutuar për hapat e mëtejmë për futbollin e Kosovës pas përhapjes së koronavirusit.

Batatina po ashtu cek se Eroll Salihu është personi i vetëm legjitim që ka mbetur në FFK.

Lexoni postimin e plotë të Tahir Batatinës:

Të nderuar futbolldashës, futbollistë dhe trajnerë,

Ne përfaqësuesit e klubeve të Ipko Superligës së Kosovës të shqetësuar rreth situatës me pandeminë e coronavirusit gjatë ditës së djeshme takuam sekretarin gjeneral të FFK-së, Eroll Salihun si personin e vetëm legjitim të mbetur në FFK.

Me të biseduam rreth hapave të mëtutjeshëm në futbollin tonë pas situatës së krijuar për shkak të virusit COVID-19.

1) Hapat që ne duhet t’i ndërmarim me parandalimin e coronavirusit dhe mundësisë së mbështetjes së klubeve në këtë situatë të rëndë.

2) Hapat që duhet t’i ndërmarim pas pandemisë së coronavirusit për zhvillimin e mëtutjeshëm të kampionatit

Pasi që në fundin e muajit mars ka qenë i paraparë të mbahet Kuvendi i Rregullt i Punës së FFK-së u dakorduam që ai të mbahet pas kalimit të pandemisë së coronavirusit me qëllim të kthimit: legjitimitetin dhe respektimin e normave statutare në FFK. Edhe pse ndodhemi në situatë emergjente, Serbia nuk po ndalon së lobuari kundër Kosovës prandaj biseduam me z. Eroll Salihu për të ruajtur kredibilitetin dhe imazhin e mirë të futbollit të Kosovës, që ai mos të cenohet nga askush.

Poashtu në takim me Sekretarin gjeneral, Eroll Salihu u dakorduam që pas dy apo tre ditëve të thirret Komiteti Ekzekutiv së bashku me përfaqësuesit e klubeve për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm për të ardhmen e futbollit tonë.

Si përfaqësues të klubeve mbështesim deklaratën e presidentit të FIFA-s, z. Infantino:

“Tashmë duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të mbrojtur tifozët, lojtarët, trajnerët dhe këdo tjetër të përfshirë në lojën tonë të bukur. Duhet që mbi të gjitha autoritetet e futbollit të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ndalimin e përhapjes së virusit. Shëndeti mbi të gjitha dhe solidarizimi me futbollin duhet të jenë udhëheqësit kyç të vendimmarrjes në këtë moment të vështirë. Sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti mund të luajnë një rol të rëndësishëm për të ndihmuar në shërimin e botës, menjëherë sapo të kthehemi në normalitet”

Federatës së Futbollit të Kosovës kthimi në normalitet i duhet jo vetëm me coronavirus por edhe me respektim të statutit e ligjshmërisë.

Ditëve në vijim për çdo gjë do të jemi në kontakt online me Sekretarin gjeneral, Eroll Salihu dhe përfaqësuesit e klubeve.

Paçi shëndet të gjithë!