BE-ja dhe NATO uruan presidentin Joe Biden

BE-ja dhe NATO uruan presidentin Joe Biden

NATO-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) uruan presidentin e ri të SHBA-së Joe Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris pas betimit zyrtar në ceremoninë e inaugurimit që u zhvillua në Washington, transmeton Insajderi.

Në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përgëzoi dyshen e re të Shtëpisë së Bardhë Biden-Harris, duke deklaruar se sot filloi “një kapitull i ri për Aleancën Transatlantike”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Lidhja midis Amerikës së Veriut dhe Evropës është themeli i sigurisë sonë dhe një NATO e fortë është e mirë si për Amerikën e Veriut, ashtu edhe për Evropën. Për më shumë se shtatëdhjetë vjet, Aleanca jonë Transatlantike ka garantuar lirinë, paqen dhe sigurinë për njerëzit tanë”, tha shefi i NATO-s.

“Udhëheqja e SHBA-së mbetet thelbësore, ndërsa ne punojmë së bashku për të mbrojtur demokracitë tona, vlerat tona dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, shtoi ai.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjithashtu uroi presidentin dhe nënpresienten e SHBA-së.

“Është koha për të rikthyer bindjen dhe mendjen e shëndoshë dhe për të rinovuar marrëdhëniet tona BE-SHBA”, theksoi Michel. /Insajderi.com