fbpx

BE-ja i përgjigjet AAK-së pas kërkesave për largimin e Mogherinit nga dialogu

BE-ja i përgjigjet AAK-së pas kërkesave për largimin e Mogherinit nga dialogu

Akuzat dhe përplasjet ndërmjet Haradinajt dhe partisë së tij, me Mogherinin dhe Bashkimin Evropian nuk kanë të ndalur. Ishte së fundi deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj që propozoi largimin e Mogherinit dhe Hahnit nga dialogu.

Nitaj gjithashtu kërkoi që Amerika të përfshihet në dialogun ndërmjet dy shteteve.

“Mogherini dhe Hahn, nuk po dëshmohen të paanshëm në dialogun Kosovë-Serbi, prandaj ata edhe nuk duhet të pranohen si ndërmjetës në këtë dialog! Pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në këtë proces, ky dialog nuk mund të ketë sukses!”, ka shkruar Nitaj në facebook.

E ndaj kësaj kërkese së fundi ka reaguar vetë Bashkimi Evropian.

Maja Kocijançiq zëdhënëse e Mogherinit, në një deklaratë për Gazetën Insajderi ka thënë se dialogu do të zhvillohet ndërmjet dy presidentëve.

Ajo tutje ka theksuar se i mbetet Kosovës dhe Serbisë që ta përcaktojnë agjendën, dhe rezultatin e bisedimeve.

“Dialogu zhvillohet në nivelin e presidentëve Vuçiq dhe Thaçi, dhe lehtësohet nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini. Në fund të fundit, dialogu i takon dy palëve që ta përcaktojnë agjendën, shpejtësinë dhe rezultatin e diskutimeve”, ka thënë Kocijançiq për Insajderin.

Tutje ajo i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që sa më shpejtë të arrijnë marrëveshje finale.

Sipas saj, kjo ndikon në aspiratat e dy vendeve në rrugën evropiane.

“Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosovës të angazhohen për ta vazhduar sa më shpejtë dialogun, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë të normalizimit të raporteve, me perspektivën evropiane të dy shteteve për në BE”, përfundoi Maja Kocijançiq.

Akuzat e kryeministrit Haradinaj kanë vazhduar edhe sot. Shefi i ekzekutivit kosovar, ka akuzuar Mogherinin se e ka devijuar procesin e dialogut. /Insajderi.com