BE mohon autorësinë e “non-paper” – “kjo është nonsens”

BE mohon autorësinë e “non-paper” – “kjo është nonsens”

Bashkimi Evropian i konsideron nonsense “non-paper” e publikuar si dhe pretendimet për autorësinë e tyre.

Të enjten në mediat serbe është përfolur emri i Drejtoresh Ekzekutive të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Angelina Eichhorst, si “autore e non-paper” botuar të hënën e që i atribuohej Gjermanisë dhe Francës.

“Publikimi dhe pretendimi natyrisht është nonsense. Delegacioni ynë në Serbi tashmë lëshoi një mohim të fortë”, i tha Gazetës Online Insajderi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Në lidhje me “non-paper” e shpërndarë ka ironizuar Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë konferencës së përbashkët që kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Nëse nuk keni non-paper, nuk jeni askush. Shikoni, unë nuk kam marrë asnjë nga këto dokumente të pretenduara, shpresoj që nesër të mos ketë një tjetër në skenë”, ka deklaruar Borrell.

Përpos disa shteteve të Bashkimit Evropian që janë apostrofuar si projektorë të dokumenteve enigmatike, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pretendon se mbrapa krejt kësaj “qëndron Beogradi”.

Pikërisht, “Beogradi është duke e shqyrtuar me kujdes atë non-paper”, ka deklaruar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, teksa ka thënë se holandezja Angelina Eichhorst, “nuk është autore e dokumentit”.

Por, media e afërt me të parin e Serbisë “Kurir”, të enjten botoi një artikull në të cilin pretendohej se Eichhorst e shkroi atë “non paper” ku përmendej “Kosova Veriore” si një autonomi brenda Republikës së Kosovës

55 vjeçarja ishte përfshirë në dialogun e Brukselit për shtatë vite, sidomos gjatë mandatit të shefes të atëhershme së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Mbi këtë premisë mediat serbe e kanë përmendur Eichhorst si autore e atyre ideve që ngjallën reagime të eksponentëve të lartë diplomatikë. /Insajderi.com