BE shfajsohet për librin me “Kosovo e Metohija”: Kocijançiq për Insajderi.com – Komisioneri s’ishte në zyrën e tij

BE shfajsohet për librin me “Kosovo e Metohija”: Kocijançiq për Insajderi.com – Komisioneri s’ishte në zyrën e tij

Lidhur me rastin e takimit të sotëm të Komisionierit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku është parë një libër propagandues i Serbisë për Kosovën me titullin “Kosovo e Metohija”, janë deklaruar nga kabineti i Komisionerit Varhelyi.

Në një përgjigje me shkrim për Insajderi.com, Maja Kocijançiq, nga kabineti i Oliver Varhelyit, ka sqaruar se takimi u mbajt nga Presidenti Vuçiq në misionin e Serbisë në BE dhe jo në zyrën e Komisionerit.

Takimi u prit nga Presidenti Vuçiq në misionin e Serbisë në BE (pra jo në zyrën e Komisionerit)”, ka thënë Kocijançiq.

Ajo tutje ka shtuar se Komisioneri dje është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe mban kontakte të rregullta dhe të vazhdueshme me të dyja palët, në përputhje me politikën e vendosur të BE-së dhe prioritetet e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Ai mban kontakte shumë të rregullta me Kosovën dhe Serbinë, në përputhje me politikën e vendosur të BE-së dhe përparësinë që i japim Ballkanit Perëndimor”, ka përfunduar ajo.

Lidhur me publikimin e kësaj fotografie nga vetë Varhelyi, kishte reaguar edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky është skandal diplomatik, provokim dhe anim.