Bedri Istrefi, “militantëve me shirita të kuq”: Mos i ekzekutoni urdhrat e Kryeministrit, do të penalizoheni

Bedri Istrefi, “militantëve me shirita të kuq”: Mos i ekzekutoni urdhrat e Kryeministrit, do të penalizoheni

Drejtori Ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, një orë para mbledhjes së Bordit të kësaj ndërmarrjeje. Ai i bën thirrje bordit, anëtarët e të cilit i quan “militantë me shirita të kuq”, që të mos ekzekutojnë urdhrat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi sipas Istrefit, anëtarët e bordit do të penalizohen.

Istrefi para mediave tha se rregullorja e ndërmarrjes e përcakton qartë formën e thirrjes së mbledhjes së jashtëzakonshme.

“Ne kemi rregulloren që rregullon procedurën e thirjes së një mbledhjeje të jashtëzakonshme. Nenet përcaktojnë se njoftimet duhet të kenë agjendën, dhe duhet të dorëzohen tri ditë më herët. Ne kemi edhe shkeljen e Kodit të Etikës, ku përcaktohet qartë se bordi thirr mbledhje të jashtëzakonshme, kur Koorporata ka një çështje urgjente sensitive, që nuk pret për mbledhjen e radhës të rregullt”, tha Istrefi.

Madje, sipas Istrefit, veprime të tilla të bordit përbëjnë shkelje ligjore, dhe kanë elemente të veprës penale.

“Nëse shikojmë Kodin e Procedurës Penale, personat që bëjnë dëme në pozitë të tjetrit, dënimi pritet që të jetë 1 deri në 10 vite. Unë kam bërë thirrje që vendimet që i merr Albin Kurti, që i zbatojnë militantët me shirita të kuq, nuk do të penalizohet Albin Kurti por ata që i marrin. Mos t’i dëgjojmë njerëz që çdo ditë shkelin Kushtetutën e Ligjin”, tha ai.

Istrefi rikujtoi edhe skenat e para pak ditësh, ku policia e Kosovës u paraqit në objektin e Telekomit, gjë që sipas tij të sjellë nëpër mend skenat e kohës së Millosheviqit.

“Pra mos të krijojen situata kur në forma të dhunshme përmes policisë të uzurpohen institucionet. Kjo na kujton kohën e Millosheviqit. Padinë e kam bërë më 17 prill, dhe kam kërkuar një propozim për caktim të masës së sigurisë. Pra vet bordi i jashtëligjshëm, mua më bën të dyshoj që vendimet e tyre të jashtëligjshme mos t’i zbatoj. Kam bërë një kallëzim penal, dhe kam kërkuar masë të sigurisë deri në vendimin e Gjykatës, ku do të caktohet vendimi se a janë ata të ligjshëm apo të paligjshëm”, tha Istrefi.

“Janë shku kanë gjetë njerëz që janë servil të pushtetit. Dhe vijnë sot meren me shkarkime e ngarkime”, tha tutje ai.

“Të gjithë anëtarët e Bordit janë të Vetëvendosjes. Dy anëtarët që u shkarkuan dje kanë krijuar që të futen pikat për stabilitet financiar. Për çka u shkarkuan ata”, tha ai.