fbpx

Beqaj për “Dosjen e Shefave”: Përgjimet nuk vërtetojnë asgjë

Beqaj për “Dosjen e Shefave”: Përgjimet nuk vërtetojnë asgjë

Ishte fundi i debatit të parë në Klan Kosova mes partive kryesore që po shkojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, kur nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, nxori telefonin dhe hapi Insajderin.

Kishte zgjedhur serinë e përgjimeve “Dosja e Shefave” më saktësisht një prej serive në të cilat është i përfshirë edhe Besim Beqaj nga PDK-ja.

“Tash e hapa portalin Insajderi dhe aty po lexoj një lajmin Telefonatat që dëshmojnë kontrollin e grabovcit dhe Beqajt mbi ndërmarrjet milionëshe.  Për çfarë po flasim ne në Lëvizjen Vetëvendosje është e thjeshtë. Pra, ç’kapje të këtij shteti. Ç’kapja është kryefjala që siguron sistem të drejtësisë në këtë vend”, tha Sejdiu.

Por Beqaj vuri në pikëpyetje këto telefonata duke thënë se ato nuk vërtetojnë asgjë.

“Përgjimet nuk vërtetojnë asgjë”, tha fillimisht Beqaj në Klan Kosova.

Më pas tha fjalinë e përdorur shpeshherë nga politikanët kur nuk duan të pranojnë asgjë.

“Nuk është as Dardani e as Insajderi, hetuesia duhet të vërtetojë nëse ka pasur diçka”, ka thënë Beqaj.

Beqaj kishte thënë të njejtën gjë edhe në gusht të vitit 2016.

Beqaj në një intervistë në RTV Dukagjini kishte thënë se duhen vërtetuar përgjimet telefonike, “në mënyrë që të shihet nëse aty ka pasur shkelje të ligjit”.

Ai kishte shkuar deri aty sa e quante diçka të zakonshme për një zyrtar të lartë shteti që të “ballafaqohet me këso gjëra”.

“Të qenit zyrtarë i lartë i një shteti mund të të bëjë të ballafaqohesh me këso gjëra. Janë veprime të cilat edhe ndodhin, por normalisht se diskutimet të cilat bëhen gjithmonë me agjenda për trajtimin e agjendave, gjithmonë janë me interes”, ka thënë ai./Insajderi.com