Berisha: Kosova mund të kontribuojë në parandalimin e konflikteve

Berisha: Kosova mund të kontribuojë në parandalimin e konflikteve

Gjenerali në pension, Hisen Berisha, e ka vlerësuar lartë nisjen e kontingjentit të Forcave të Sigurisë së Kosovës për në misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt, bashkë me Gardën Kombëtare të Iowas, transmeton Insajderi.

Berisha theksoi që ky është një mision i rëndësishëm për shkak se arrihet bashkëpunim më i thellë me partnerët ndërkombëtarë.

”Është mision i rëndësishëm. Sepse përmes këtij misioni do të arrijmë bashkëpunim me të gjithë partnerët që përfshinë këto misione të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai në ‘Info Magazine’ të Klan Kosovës.

”Mund të arrijmë besim të ndërsjellë me partnerët tanë dhe mund të kontribuojmë në parandalimin e konflikteve, duke i dhënë të drejtën vetes, përmes këtyre misioneve, për integrime në nisma të sigurisë qoftë rajonale siç është ajo A5 ku ne pretendojmë të jemi pjesë, apo partneritetin për paqe dhe në NATO. Këto janë objektiva që ne zhvillojmë në politikat tona të mbrojtjes dhe krijimit të kapaciteteve për sistem të mbrojtjes”, shton Berisha.

”Synimi për integrime nuk e ka qëllimin se Kosova do të ofrojë kapacitete të tilla se do ta vendosin paqen në një vend apo do ta ruajnë paqen në një vend. Krahas mbrojtjes së integritetit territorial, janë edhe operacionet ndërkombëtare, brenda operacioneve ndërkombëtare janë operacionet për mbështetje të paqes”.

”Në operacionet e mbështetjes së paqes, Kosova ka kapacitete që mund të jetë pjesë e këtyre misioneve aq më tepër kur jemi në një partneritet me marrëveshje të plotë me Iowa, e që të cilët do të jenë mbështetja jonë për të dalë sa më të suksesshëm në këto misione”, ka përfunduar ai. /Insajderi.com