Berisha tregon nëse FSK-ja mund të shkojë në veri

Berisha tregon nëse FSK-ja mund të shkojë në veri

Sipas ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, FSK-ja, për momentin nuk ka nevojë që për momentin të shkojë në veri, por këtë mund ta ndërmarrë nëse rrezikohet siguria e shtetit.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se veriu mbetet sfidë, por jo për intervenim e ndërhyrje të FSK-së.

“Kjo është një çështje që realisht është biseduar shumë edhe me partnerët tanë, shtetet e NATO-s. Ata janë thirrur shumë në letrën e 2013-s, që realisht FSK s’ka pas të drejtë pa lejen e KFOR-it të shkojë në veri. Kemi qartësuar pozicionin tonë dhe ai kufizim e ajo letër ishin në mandatin e kaluar. Tani FSK ka mandat tjetër, por ne vlerësojmë situatën dhe ambientin e sigurisë së Kosovës dhe veriu për ne është sfidë, por jo për intervenim e ndërhyrje të FSK-së, por më shumë e luftimit të krimit të organizuar, mosfunksionimit të ligjit, grupeve kriminale e strukturave paralele. Por kjo s’është detyrë që ndërlidhet drejtpërdrejtë me ndërhyrjen tonë. Kemi mandat kushtetues, ligjor, dhe për momentin nuk ka nevojë të dalim e të shkojmë në veri, por nuk ka kufizim edhe nuk ka asnjë lider që mund të marrë përsipër, në raste të caktuara nëse rrezikohet siguria e shtetit, të japë garanca se FSK-ja s’do të kryejë detyrat kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Kosova nuk ka interes që të dëshmojë forcën në veri me lëvizje e marshime ushtarake, por ka shtuar se interes i vendit është integrimi i komuniteteve joshumicë.

“(Tek intervenimi) Është fjala për kërcënime nga jashtë, jo për detyrat që janë përgjegjësi e institucioneve tjera. shtetet tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e kanë njohur për 100 për qind të territorit të vet dhe pavarësisht kësaj kemi bashkëpunim dhe nuk besoj që ka lider që mund të marrë ndonjë veprim për t’u lazdruar në veri për të dëshmuar forcën me lëvizje e marshime vetëm për t’i frikësuar qytetarët. Mendoj se interesi jonë është të integrojmë komunitetin jo shumicë”, ka shtuar ai.