Autoritetet e qytetit të Berlinit po planifikojnë ta kufizojnë lartësinë e qirasë mujore për banesa në 7,97 euro për metër katror, në kuadër të planit të “ngrirjes” së lartësisë së qirasë banesore.
Për këtë plan janë marrë vesh në fillim të këtij viti.
Senatorja e Berlinit për zhvillim urban Katrin Lompscher po planifikon që këtë masë ta zbatojë për banesa të ndërtuara deri në vitin 2013, derisa banesat e ndërtuara pas vitit 2014 do të jenë jashtë këtij ligji.
Drafti i ligjit është edhe më tutje temë e diskutimeve dhe mund të ndryshojë.
Senati duhet ta dërgojë propozim ligjin parlamentit të qytetit deri më 15 tetor, ndërsa është planifikuar që ligji të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm.
Administrata e qytetit të Berlinit ka vendosur që në qershor ta ngrijë lartësinë e qirave për banesa për një periudhë prej 5 vjetësh, pas ankesave të pandërprera të banorëve për mungesë të banesave të cilat mund t’i paguajnë edhe atë në qytetin i cili dikur ishte i njohur pikërisht për nga shpenzimet e ulëta të jetesës./Insajderi.com.