Bërnabiq kërkon përkrahje të Kinës për Kosovën

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi se mbështetja e Kinës për Serbinë ka shumë rëndësi, në veçanti kur është në pyetje çështja e Kosovës.

Bërnabiq kërkon përkrahje të Kinës për Kosovën

Kryeministrja serbe i bëri këto komente gjatë një takimi me ministrin kinez për çështje të veteranëve, Sun Shaocheng. Ajo i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si të mrekullueshme dhe të cilat karakterizohen nga një partneritet strategjik dhe gjithëpërfshirës.

Kina si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është ndër vendet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndikimi i Kinës në Ballkanin Perëndimor është rritur në periudhën e fundit kryesisht përmes investimeve në ekonomi dhe infrastrukturë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishte në mesin e pjesëmarrësve të forumit “Brezi dhe Rruga” që u mbajt në Pekin në fund të muajit prill. Ai gjithashtu ka kërkuar përkrahjen e Kinës sa i përket Kosovës.

Kjo iniciativë 1 trilion dollarësh e Kinës synon ndërtimin e rrugëve, porteve, hekurudhave dhe infrastrukturës energjetike që do ta lidhte Kinën me Evropën, Afrikën dhe pjesë të Azisë./Insajderi.com