Bërnabiq llogaritë se miqësia e Orbanit dhe Vuçiqit do të jep rezultat të mirë për Serbinë

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq ka vlerësuar sot se është lajm shumë i mirë për Serbinë që ish ministri i drejtësisë i Hungarisë Laszlo Trocsanyi është propozuar për komisionar për zgjerim sepse vjen nga vendi i cili e përkrahë fuqishëm agjendën e zgjerimit, sidomos ndaj Serbisë.

Bërnabiq llogaritë se miqësia e Orbanit dhe Vuçiqit do të jep rezultat të mirë për Serbinë

Bërnabiq në deklaratën dhënë televizionit serb TV Përva ka thënë se shpreson që Parlamenti Evropian do ta konfirmojë nominimin e tij.

“Atëherë të gjithë së bashku do ta shohim se lidhjet miqësore të kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban dhe presidentit tonë Aleksandar Vuçiq dhe gjithë përpjekjet të cilat i ka bërë presidenti ynë në të kaluarën për ato lidhje të mira, do të japin rezultat të mirë”, ka thënë Bërnabiq.

Bërnabiq megjithatë ka theksuar se duhet pritur që nominimi i Trocsanyit të konfirmohet në PE.

“Për vetë nominimin do të thosha se është shumë lajm i mirë për Serbinë, por lajm i mirë edhe për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor sepse Hungaria është një prej vendeve e cila e përkrahë fuqishëm agjendën e zgjerimit, e sidomos ndaj Serbisë”, ka pretenduar Bërnabiq.

Ajo ka theksuar se Hungaria është mike e Serbisë.

“Kuptoj që komisionarët evropianë nuk e përfaqësojnë as Hungarinë e as cilin do vend prej nga vijnë, por BE-në, mirëpo është e pamundur që këto lidhje të forta miqësore të mos japin rezultat konkret për Serbinë”, ka pretenduar Bërnabiq./Insajderi.com.