Beteja e Thaçit me Haradinajn për numrin e veteranëve

Beteja e Thaçit me Haradinajn për numrin e veteranëve

Numri i ushtarëve të UÇK-së ka çuar deri te një “konflikt” në largësi ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.

Të dy po japin shifra të ndryshme dhe me dallime të mëdha për veteranët e vërtetë.

Ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj që kohë më parë deklaroi se vetëm në Dukagjin kanë qenë mbi 50 mijë ushtarë.

“Por pjesëmarrja në luftë, me lufut prej shtëpisë me dal në vijë të frontit, janë mbi 50-60 mijë veç në Dukagjin. Nëse dikush s’më beson le të shkon le të pyet, s’ka kush që e ndërron këtë. Kjo ka qenë pasi ishim afër kufirit dhe unë i kam lejuar të gjithë me u armatos e me luftu”, kishte deklaruar më herët shefi i qeverisë.

Madje kishte thënë se numrin e veteranëve nuk mund ta ndërrojë për t’ia kursyer disa para Kosovës.

“Kjo është e vërteta, dhe unë s’mund të them ndryshe që me ia kursy disa pare Kosovës. Na mujm me e ndërru ligjinm, shumën sa jau japim por të vërtetën s’mund ta ndryshojmë”, thoshte Haradinaj.

Por me këto shifra asesi nuk ishte pajtuar presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Madje në një Konferencë Rajonale presidenti tha se luftëtarë kanë qenë 12 mijë persona në UÇK. Duke i cilësuar shifrat e tjera si mashtrime.

​“E vërteta është se nuk ka pasur më shumë se 12 mijë – 15 mijë luftëtarë me uniformë ndërsa të gjithë të tjerat janë mashtrime, kësaj duhet t’i shkohet deri në fund përmes drejtësisë”, ka thënë Thaçi.

Debat për numrin e madh të veteranëve ka pasur edhe ndërmjet Sylejman Selimit dhe vëllaut të kryeministrit, Daut Haradinaj.

Selimi në njërën anë ishte i mendimit se në UÇK kanë qenë 12 mijë ushtarë, kurse Daut Haradinaj mbrëmë nëpërmjet një emisioni ia drejtoi një pyetje ish-komandantit të UÇK-së.

“Më vjen mirë që këta i japin vetes të drejtë të flasin. Shkopin magjik nuk e kanë pas. Për Sylën nuk flas për shkak të pozicionit që e ka. Pyetja ime për të është kur ke qenë në Dukagjin gjatë luftës, në cilin rast? Unë e Sylejman Selimi jemi takuar dy herë në Likoc dhe në Açarevë në fshatin e vet”, deklaroi deputeti i AAK-së.

I akuzoi edhe disa “intelektualë” se kanë ikur nga lufta dhe e kanë lënë vetëm.

“Më vjen keq për do intelektualë që kanë ikë prej lufte, m’kanë lanë vetë, e kanë këqyrë luftën me dylbi b***prapë” – tha Daut Haradinaj për listat e veteranëve në Dukagjin.

Ndryshe për manipulimet me listat e veteranëve, aktualisht në gjykatë është dorëzuar aktakuza për 12 persona. /Insajderi.com