Biden ia përmend Vuçiqit njohjen reciproke me Kosovën

Biden ia përmend Vuçiqit njohjen reciproke me Kosovën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka kërkuar nga Serbia arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Kosovën, e cila do të përqendrohet në njohjen reciproke, transmeton Insajderi.

Kështu është shprehur ai në një letër urimi të dërguar për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetit të Serbisë.

“Në emër të popullit Amerikan, ju shpreh urimet e mia të sinqerta juve dhe bashkëqytetarëve tuaj me rastin e Ditës së Shtetit të Serbisë më 15 Shkurt,” thuhet në mesazhin e urimit, shkruan B92.

“Ne ju inkurajojmë që të vazhdoni të ndërmerrni hapa drejt arritjes së integrimit evropian, përfshirë futjen e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen reciproke”, tha Biden në mesazhin e tij urues për Vuçiq.

Në letrën e tij presidenti amerikan po ashtu ka konfirmuar mbështetjen amerikane në integrimin evropian të Serbisë.

“Fuqia e marrëdhënieve tona bazohet në historinë e thellë të lidhjeve midis popujve tanë që luftuan si aleatë në të dy luftërat botërore dhe ne vlerësojmë shumë kontributin e madh që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha”.

“Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë duke luftuar pandeminë COVID-19, ndërsa së bashku ne përballemi me këtë sfidë të paparë globale. Unë pres që të bashkëpunoj me ju në thellimin e lidhjeve miqësore midis vendeve tona dhe forcimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara” thuhet ndër të tjera në urimin e Biden. /Insajderi.com