Biden ndan vaksina për Kosovën

Biden ndan vaksina për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të enjten se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka vendosur të dhurojë një numër të vaksinave kundër COVID-19 për Kosovën, përcjell Insajderi.

Siç ka njoftuar Osmani, këtë vendim Biden e ka marrë pasi presidentja i kishte kërkuar mbështetje për vaksina më 19 mars 2021.

“Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi presidentja në profilin e saj në Facebook.

Ajo tutje u shpreh se “Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tone”.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht. Kosova dhe institucionet tona vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave”./Insajderi.com