Gjyqi ndaj Trump fillon në muajin shkurt

Gjyqi ndaj Trump fillon në muajin shkurt

Udhëheqësi i shumicës së Senatit amerikan, Chuck Schumer, njoftoi dje se gjyqi i fajësimit (Impeachment) i dytë ndaj ish-presidentit Donald Trump do të fillojë javën dytë të muajit shkurt, transmeton Insajderi.

Gjatë fjalimit në Senat, demokrati i New York-ut deklaroi se menaxhuesit e Dhomës së Përfaqësuesve të hënën e ardhshme do të lexojnë nenin e fajësimit “nxitje të kryengritjes”.

“Menaxhuesit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe mbrojtja do të kenë një periudhë kohore për hartimin e përmbledhjeve të tyre ligjore ashtu siç bënë në seancat e mëparshme”, tha Schumer.

“Pasi të hartohen përmbledhjet, paraqitja nga palët do të fillojë në javën që nis më 8 shkurt”, shtoi ai, raporton Anadolu Agency (AA).

Trump akuzohet për nxitjen e sulmit të dhunshëm të 6 janarit në ndërtesën e Kongresit të SHBA-së, për të cilin Schumer tha se “ishte një ditë që askush prej nesh nuk do ta harrojë kurrë”.

“Të gjithë duam ta lëmë pas vetes këtë kapitull të tmerrshëm në historinë e kombit tonë”, tha ai.

Komentet e Schumer-it u bënë disa orë pasi ai tha se neni i fajësimit do të shkojë në Senat, ku do të zhvillohet një gjyq “i plotë” dhe “i drejtë”.

“Por të mos gabohemi, do të ketë një gjyq dhe kur gjyqi të mbarojë, senatorët do të duhet të vendosin nëse besojnë se Donald John Trump nxiti kryengritjen kundër Shteteve të Bashkuara”, tha Schumer.

Dhuna në ndërtesën që përfshiu zyrat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit la të paktën pesë persona të vdekur dhe dhjetera të plagosur.

Trump është presidenti i parë i SHBA-së që u fajësua dy herë pasi më 13 janar, Kongresi votoi akuzën lidhur me pretendimet për rolin e tij në nxitjen e kryengritjes dhe trazirave. /Insajderi.com