Bislimi i dërgon në komision dosjet e Lajçakut dhe Qeverisë për dialogun Kosovë-Serbi

Bislimi i dërgon në komision dosjet e Lajçakut dhe Qeverisë për dialogun Kosovë-Serbi

Zëvendëskryeministri i parë për Integrimin Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, po raporton në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë lidhur me vizitën e realizuar në Bruksel gjatë javës që lamë pas, njofton Insajderi.

Në këtë raportim, Bislimi me vete ka marrë edhe dosjen nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, dhe atë të cilin e kanë trashëguar nga qeveritë e kaluara.

Ai ka thënë se në dosjen e trashëguar nuk ka asgjë substanciale, por vetëm tregohet për mbajtjen e takimeve për të cilat tregojnë se kanë shkuar mire dhe në çfarë ore kanë filluar këto takime.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Shoshi ka thënë se ftesë për raportim është dashur t’i dërgohet edhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Shoshi ka thënë se PDK nuk ka pranuar as një raport nga Qeveria për çështjen e dialogut.

Ndërkaq kryetari i komisionit, Haki Abazi, ka thënë se Gërvalla do të ftohet një ditë tjetër. /Insajderi.com