Biznes me të vdekur – BIK-u faturon 4520 euro një ceremoni varrimi e ngushëllimesh

Disa mërgimtarë të cilët po e shfrytëzojnë vdekjen e të afërmve të tyre për të përfituar materialisht, po gjejnë mbështetje nga Bashkësia Islame e Kosovës. Përmes vërtetimeve të lëshuara, BIK-u po ua mundëson atyre që t'i mashtrojnë shtetet ku jetojnë dhe të marrin si kompensim shumën e fryer të shpenzimeve për ceremoninë mortore.

Biznes me të vdekur – BIK-u faturon 4520 euro një ceremoni varrimi e ngushëllimesh

Bashkësia Islame e Kosovës duket se ceremoninë e varrimit dhe të ngushëllimeve po e shndërron në biznes për disa mërgimtarë.

Në një vërtetim të lëshuar për një mërgimtar nga Këshilli i Bashlësisë Islame në Lipjan, një ceremoni varrimi dhe ngushëllimi është faturuar në shumën e 4 mijë e 520 eurove.

Vërtetimi i Këshillit të BIK-ut në Lipjan i faturon me çmim të lartë shërbimet e varrimit, duke ia mundësuar mërgimtarit që këto para t’i marrë në shtetin ku jeton, përmes procesit të kompensimit.

Për ceremoninë e varrimit të babait të këtij mërgimtari, BIK-u i Lipjanit e ka faturuar në shumën e 1 mijë eurove përmendoren e varrit, e cila është e ndaluar në fenë islame.

‘Sandeku’ dhe dërrasat që vendosen në varr, janë llogaritur 300 euro.

Vetëm qefini për mbulimin e kufomës llogaritet të ketë kushtuar 300 euro, sipas BIK-ut.

400 euro janë llogaritur vetëm tri shërbime: hapja e varrit, larja e kufomës dhe transporti.

Shpenzimet gjatë pritjes së ngushëllimeve për të ndjerin, BIK-u i ka llogaritur në shumën e plot 2 mijë e 100 eurove.

150 euro vlerësohet vetëm shërbimi i imamit në ceremoninë e varrimit.

Ky vërtetim mbanë nënshkrimin e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Lipjan, Xhevdet Bytyqit.

Insajderi ka raportuar edhe për një rast tjetër të ngjashëm në Pejë, ku Bashkësia Islame atje kishte lëshuar një vërtetim me faturë të fryer shpenzimesh për një ceremoni varrimi e ngushëmillesh – edhe kjo për t’ia mundësuar një mërgimtari që ta përvetësoj këtë shumë parash si kompensim nga shteti ku jeton. /Insajderi.com