Bizneseve nuk ju hyn në punë Rimëkëmbja Ekonomike nëse nuk votohet buxheti për vitin 2021

Bizneseve nuk ju hyn në punë Rimëkëmbja Ekonomike nëse nuk votohet buxheti për vitin 2021

Gëzimi i pronarëve të bizneseve kur u votua Rimëkëmbja Ekonomike mund të jetë i paarsyeshëm nëse nuk votohet edhe projekt-buxheti për vitin 2021.

Ministria e Financave në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, theksoi se 200 milionë eurot e parapara për bizneset në kuadër të Rimëkëmbjes Ekonomike varen nga buxheti vitit të ardhshëm.

“Shuma prej 200 milionë eurosh do të përfshihet në projekt-ligjin e buxhetit për vitin 2021”.

Opsioni i mos-votimit të buxhetit gjatë kësaj legjislature paraqet rrezik që bizneset mos t’i kenë paratë në xhirollogaritë e tyre për muajt e ardhshëm.

I pyetur nga Insajderi, kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, deklaroi se stabiliteti i bizneseve rrezikohet nëse nuk votohet buxheti në Kuvend.

“Po rrezikohen bizneset në rast se nuk kalon buxheti”, tha shkurt Rukiqi.

Përderisa koha ecë përpara, bizneset po ecin mbrapa dhe propozimi i projekt-buxhetit nuk po lëviz fare – në këtë situatë nuk ka kohë për të humbur.

Vonimin e ekzekutimit të mjeteve për financiare për ndërmarrjet, shqetësuese e konsideron ligjëruesi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Sead Ujkani.

Sipas tij, mjetet financiare duhet të jenë sa më shpejt në dispozicion të sipërmarrjeve.

“Vlerësoj që më nuk ka kohë për t’u humbur dhe këto mjete duhet t’u vihen në dispozicion bizneseve shpejt për të pasur efektin e synuar si një stimulim i nevojshëm që rrit aftësinë e tyre financiare për të përballuar ketë situatë të renduar ekonomike”, tha Ujkani për Insajderi-n.

Në këtë gjendje të rënduar të afarizmit, pritshmëria e bizneseve për ndihmë nga shteti e gatishmëria e ekzekutivit  janë në diskrepancë me njëra tjetrën.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i tha Insajderi-t se fondi 200 milionësh nuk do të ketë efektin ekonomik në rast se nuk rritet vitin tjetër.

“Fondi prej 200 milionësh i cili pritet të fillojë së zbatuari nga 1 janari do të jetë fond i cili do t’i prek sektorët dhe punëtorët e prekur nga pandemia dhe ky fond do të jetë i vogël nëse nuk rritet vitin e ardhshëm”, deklaroi Shahini.

Pos dilemës kur do të ekzekutohen mjetet financiare, mëdyshje tjetër është kujt do t’i ekzekutohen ato

Ligjëruesi universitar, Sead Ujkani, propozoi se duhet të identifikohen sektorët qe janë nxitje për rimëkëmbjen e stabilitetin ekonomik.

“Mbështetja e biznesit mund të orientohet në një qasje më sektoriale, duke identifikuar sektorët që do t’i japin nxitje Rimëkëmbjes Ekonomike. Pra, krahas ndihmës direkte financiare për bizneset të cilat kanë vështirësi të funksionimit, të jenë prioritet edhe bizneset që mund të ndikojnë në mënyrë produktive në forcimin e stabilitetit ekonomik të vendit”.

Ministria e Financave, sqaroi se në këtë mekanizëm shtetëror të mbështetjes afariste nuk përfshihen ndërmarrjet publike.

Por, ende nuk ka përfunduar plani operacional për zbatimin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Është në proces e sipër.

“Neni 11 i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, COVID – 19, përcakton se kjo masë përfshin bizneset private, pra këtu nuk janë të përfshira ndërmarrjet publike. Po ashtu, neni 11 i ligjit përcakton kriteret e përgjithshme për kompanitë përfituese, ndërsa kriteret e detajuara – në linjë me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike – janë duke u përgatitur nga grupi punues qeveritar i cili po punon në dizajnimin e planit operacional për zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave. /Insajderi.com