Biznesi i “frikshëm” i Halloween-it në Shqipëri

Biznesi i “frikshëm” i Halloween-it në Shqipëri

Si komercializimi i një feste aspak shqiptare po shndërrohet në një biznes të mirë për shumë sektorë në vend. Shitjet me pakicë shohin rritje të vazhdueshme çdo vit; fëmijët janë grupmosha për të cilën shpenzohet më shumë dhe festat e organizuara më 31 tetor janë “veza e artë” e shumë lokaleve në kryeqytet. Shqiptarët paguajnë për t’u kënaqur…

Ëmbëlsirë apo rreng? Këtë shprehje shqiptarët e kanë dëgjuar veçse vitet e fundit, sikurse filluan të jetësonin edhe të tjera praktika që lidhen me këtë tematikë. Halloween është një festë traditë e amerikanëve, e cila ndonëse pa asnjë kontekst historik apo kulturor, filloi të praktikohej edhe në vendin tonë. Ditët e fundit të tetorit i pamë “të veshur frikshëm” disa sektorë, ndër të cilët tregtia me pakicë, estetika dhe lokalet po shohin hov në aktivitetin e tyre, që përkthehet në fitime. “Komercializimi” i kësaj feste të huazuar ka prekur edhe sektorë të tjerë dhe ndonëse shifra të sakta nuk ka ende, ata të cilët shohin fryte nga kjo “festë”, e mirëpresin çdo vit.

Shitjet me pakicë

Nga një vëzhgim në një nga rrugët e Tiranës, e njohur si “Tregu Çam” vihej re ndryshim i pamjes së përditshme të veshjeve dhe aksesorëve të tjerë në ngjyrat “portokalli dhe të zezë”. Tregtarët pohojnë se kjo tendencë është rritur me kalimin e viteve, prej thuajse 5 vjetësh, java e fundit e tetorit vishet “frikshëm”.

“Ne i marrim aksesorët dhe veshjet sepse na i kërkojnë vetë. Pjesa më e madhe që blejnë janë prindërit për fëmijët, por edhe për vete. Aksesorët më të kërkuar janë kapelat e shtrigave, që fillojnë nga 500 lekë, maskat e ndryshme që kushtojnë 200 lekë e lart, dy vitet e fundit edhe pelerinat pëlqehen”, – tregon një tregtare për “Monitor”.

Edhe dyqanet e dekoreve në rrugën “Myslym Shyri”, prej më shumë se një javë, kishin nisur përgatitjet për të përqafuar këtë trend, duke qenë se është i kërkuar nga konsumatorët. Ata thanë se pjesa më e madhe e aksesorëve të ofruar nga dyqani, kërkoheshin për arredime festash për fëmijë, në kopshte, shkolla apo edhe ambiente festive si lokale, për të cilat këtë vit ka pasur një bum kërkesash dhe organizimesh.
Të kontaktuar nga “Monitor”, menaxherja e marketingut e Jumbo, Anisa Husaj, pohoi se ky vit pati rekord shitjesh krahasuar me vitet e mëparshme. “Për artikujt e veçantë të Halloween të vendosur në ambientet e dy dyqaneve në Shqipëri, pati 20% shitje më tepër se sa në 2016”, – tregon ajo. Aksesorët për këtë “festë” nisën të silleshin që disa vite më parë në këto ambiente, në përpjekje për të ushqyer këtë trend në rritje që lindi mes shqiptarëve.

Estetika

Një tjetër sektor që ka parë frytet e saj të përfitimit është edhe estetika. Elona Zaimi, një make up artiste, në zonën e ish-Ekspozitës në Tiranë, tregon se 3 vitet e fundit, të rinjtë dhe kryesisht të rejat, kanë kërkuar “ndihmë” nga ajo për të realizuar pamjen ideale që përkon me tematikën e Halloween. E pyetur për çmimin, ajo thotë se i atribuohet vështirësisë së punës së kërkuar, varion nga 2000-5000 lekë. Edhe fëmijët duan ta marrin një shërbim të tillë, duke qenë se për ta organizimet janë të shumta. Sa u përket të rriturve, pjesa më e madhe e tyre që duan një make up për Halloween janë punonjës së stafit të lokaleve të ndryshme që celebrojnë më 31 tetor, si balerina p.sh., por edhe të rinjtë që do të ndjekin festimet e tilla.

Lokale

Të rralla ishin lokalet apo ambientet e njohura të jetës së natës në kryeqytet që nuk organizuan evente mbrëmjen e 31 tetorit. Festat nisën kryesisht në orën 17.00, organizime të ofruara për fëmijët, me tematikë të përshtatshme për ta dhe më pas, vijuan të jenë hapësira për të rriturit të cilën “trokitën” frikshëm pas orës 21:00.

Të kontaktuar nga “Monitor”, tre ambiente festive Latin House, Ballkoni Rock Bar dhe Fusion Bar treguan se këtë vit, pjesëmarrja ka qenë më e madhe se sa vitet e shkuara. Burime nga Latin House thanë se këtë vit, festës për fëmijë i kushtuan vëmendje të veçantë, ndërsa Rock Bar nuk kish si të mos organizonte festë për të rriturit, të cilët thanë se tashmë është shndërruar në një traditë.

“Të rriturit e duan maskimin, muzikën e kësaj tematike dhe shijimin e pijeve, ndonëse të nesërmen ishte ditë pune zyrtare për të gjithë”, – tregojnë burimet nga këto lokale.
Hyrja ishte: 1000 lekë bileta dhe një pije shoqëruese, ose në disa ambiente edhe “falas”, në përpjekje për të konkurruar me morinë e lokaleve që kanë përqafuar trendin e organizimit të festës së Halloween.

Kompani dekorimi

Biznesi i dekorimit, i ardhur në tregun shqiptar si nevojë për evente familjare, dasma dhe ditëlindje, po sheh edhe një dritare tjetër: festën e Halloween. Sibela Koçi, nga FriendsEvent, tregon për “Monitor” se festa ka krijuar një tjetër kulturë për shqiptarët dhe 2017 ka parë rritje të madhe të kërkesave për dekore.

“Mendoj se Halloween është një trend në rritje në vend, vitet e tjera nuk ka qenë kaq popullor. Ne kemi vënë re një kërkesë të lartë këtë vit për të dekoruar festa për fëmijë, që mendoj se janë grupmosha që e kërkojnë më tepër. Por edhe të rriturit”,- tregon znj. Koçi.
Shqiptarët, sipas saj, këtë vit kanë kërkuar dekore të veçanta, të frymëzuar nga trendet botërore. “Ne pamë rritje 80% të kërkesave krahasuar me 2016”,- përfundon ajo.

Qendrat tregtare

Të gjitha qendrat tregtare në Tiranë, si në periferi, edhe brenda qytetit, kanë rezervuar një kënd të veçantë për Halloween, disa kanë organizuar festa në këtë ditë, kryesisht për fëmijët. Të tjerë kanë ngritur stenda për të blerë artikuj që lidhen me festën. Pjesa dërrmuese ka qenë e fokusuar te lojërat për fëmijët, paradat, veshjet më të frikshme, si dhe kanë ofruar ulje në dyqane të caktuara për pjesëmarrësit në këto aktivitete.

Pastiçeri

Shumë pastiçeri në kryeqytet pohuan se këtë vit kanë pasur porosi të shumta të ëmbëlsirave me tematikën e Halloween. Të pyetur për “Monitor”, një pastiçeri në rrugën “21 Dhjetori”, tregoi se tortat më kreative këtë vit janë kërkuar për festa fëmijësh, të organizuar kryesisht nga kompani të mëdha në vend, në të cilat prindërit sillnin fëmijët e tyre. Ata thonë se nuk kanë munguar as porosi sporadike nga familjarë në shtëpi duke shënuar një risi krahasuar me vitet e mëparshme. Nga ana tjetër, dyqanet e vogla të lagjeve apo marketet, tregojnë se kërkesat për blerje ëmbëlsirash këto ditë kanë qenë të larta. Në disa lagje të Tiranës, fëmijë kryesisht të moshës 7-15 vjeç, kanë trokitur në dyert e shtëpive me thënien “Ëmbëlsira apo rreng?”.

Kinematë

Kudo në botë, gjatë Halloween transmetohen filmat të frikshëm, horror dhe thriller. Audienca amerikane kërkon filma të kësaj natyre dhe Hollywood prodhon filma me këtë tematikë, të cilat transmetohen kudo në botë. Fundi i tetorit rezervon hapësirë për filma të frikshëm edhe në Shqipëri.
Menaxherja e kinemasë CINEPLEXX, Ingrid Xhaja, tregon se këtë vit frekuentimi ka qenë më i lartë për këto filma. “Interesi ka qenë më i madh këtë vit. Krahasuar me vitin e shkuar, ka pasur më tepër vizitorë. Ne kemi transmetuar dy filma të rinj nga kinemaja botërore dhe një film horror të risjellë në ekran. Të gjithë kanë pasur shikueshmëri të mirë”,- tregon znj. Xhaja.