Blerim Syla për ftesën e Edi Ramës: “O të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësorë, o asnjëri”

Blerim Syla për ftesën e Edi Ramës: “O të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësorë, o asnjëri”

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, thotë se nuk duhet të ketë klasifikime të mantelbardhëve që do të dërgohen në Kukës për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID, të premtuar nga Qeveria e Shqipërisë.

“O t’i marrin të gjithë punëtorët shëndetësorë, o asnjëri”, ka thënë Syla për Gazetën Online Insajderi, derisa u pyet për ftesën e kryeministrit Edi Rama, që mjekët dhe infermierët kosovarë të shkojnë në Kukës që të vaksinohen.

Madje, ai thotë se këtë informacion e ka marrë nga raportimet në media, ndërsa nesër pritet që të marrin një vendim të përbashkët me Ambasadën e Kosovës në Shqipëri dhe me Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë sa i përket kësaj ftese.

“Unë këtë informatë e kam marrë nga mediat, por nesër do të kontaktojmë me Ambasadën e Kosovës në Shqipëri dhe Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë e më pas do të marrim vendim të përbashkët, por klasifikime nuk duhet të ketë”, ka thënë ai.

Derisa priti arritjen e 38 mijë e 400 dozave të vaksinave nga ‘AstraZeneca’, në Aeroportin “Nënë Tereza”, kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, gjatë mbrëmjes të së premtes ka njoftuar se nga 13 marsi do të lidhen kontaktet me autoritetet e Kosovës që punëtorët shëndetësorë të shkojnë dhe të vaksinohen në Kukës.

“Jemi gati nga nesër të organizohemi me Kosovën për t’i dhënë mundësinë mjekëve dhe infermierëve të spitaleve COVID, që nga spitali i Prishtinës, që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi që nesër dhe do të lidhemi me strukturat përkatëse. Do jetë e rëndësishme që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengesë e tmerrshme e mungesës së dozës së parë”, u shpreh i pari i ekzekutivit të Shqipërisë.

Edhe pse Rama kishte deklaruar se do të mbështesin Kosovën me vaksinat kundër virusit Corona, në ditët e para të muajit shkurt ai kishte pohuar se ky plan ka ndryshuar, dhe se mund të vaksinojnë vetëm 50 doktorë nga Kosova.

Rama madje kishte thënë se këta punëtorë shëndetësorë kosovarë duhet të shkojnë në Shqipëri për tu vaksinuar.

Ndryshimi i planit për vaksinat anti-COVID, ishte parë si diçka joserioze nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.

Ishte Syla i cili tha se kërkesa e Ramës për dërgimin e 50 mjekëve në Tiranë për vaksinim nuk është serioz.

“Nëse do të isha pyetur si kryetar i Federatës do të jepja një përgjigje negative për Ramën. Nuk jemi kundër vaksinimit por nuk mund të bëjmë diferencime e në mesin e 14 mijë punëtorëve të shëndetësisë t’i zgjedhim 50 e t’i vaksinojmë. Kjo nuk është serioze. Nëse duan të na ndihmojnë si duhet e jo të bëhen marketingje politike”, ka theksuar Syla.

Më 1 janar, Rama, në një konferencë për media, pati deklaruar se Shqipëria ka siguruar 500,000 doza të vaksinës anti-COVID’19, nga kompania farmaceutike amerikane ‘Pfizer’.

Rama po ashtu kishte premtuar se një sasi e vaksinave do t’i jepet Kosovës, për të vaksinuar punonjësit shëndetësorë. “Shqipëria nuk do t’ia kthejë shpinën Kosovës”, kishte deklaruar ai. /Insajderi.com