Bllokimi i llogarive: Hoti e Kuçi takohen me Sindikatën e Telekomit

Bllokimi i llogarive: Hoti e Kuçi takohen me Sindikatën e Telekomit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, kanë zhvilluar një takim virtual me kryetarin e Federatës Sindikale të Telekomit, Lamih Balaj.

Ky takim vjen pasi llogaritë bankare të Telekomit janë bllokuar për shkak të një borxhi që Telekomi i ka Dardafon/Z-Mobile, njofton Insajderi.

Balaj paraqiti gjendjen alarmante me të cilën përballet Telekomi. Ai kërkoi që të zhbllokohen sa më shpejtë llogaritë sepse në të kundërtën “do të ballafaqohen” me 2.300 punëtorët e Telekomit.

Sipas kumtesës së lëshuar nga FSP-PTK, Kryeministri, Avdullah Hoti dhe ministri, Blerim Kuçi, u zotuan për një zgjidhje të shpejtë të këtij kontesti, me hapa të qëndrueshëm që ky fenomen të mos përsëritet prapë.

“FSP-PTK kërkon nga anëtaret dhe punëtoret e Telekomit të Kosovës, të mos ndikoheni nga individëve brenda Telekomit të cilët thirren në emër të punëtoreve për interesat e veta personale”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e lëshuar. /Insajderi.com

Komunikata e plotë