Bogujevci: Serbia nuk e pranon fajin, t`i bëhet presion për gjetjen e të zhdukurve

Bogujevci: Serbia nuk e pranon fajin, t`i bëhet presion për gjetjen e të zhdukurve

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci ka vlerësuar se nuk është bërë shumë për gjetjen e personave të zhdukur, gjatë adresimit të saj në kuvendi, ku po diskutohet për personat e pagjetur.

“Kanë kaluar 19 vjet dhe familjarët ende jetojnë me dhimbjen për faktin se nuk kanë asnjë informatë se ku gjenden familjarët e tyre. Vet e kam përjetuar për një kohë dhe është e vështirë të jetosh me këtë ndjenjë”

“Do të doja që sot si deputetë të kthehemi mbrapa tek koha kur ka përfunduar lufta, kur të gjithë e kemi pasur ndjesinë kur kemi kërkuar të dimë ku janë familjaret tanë dhe të ngritin atë ndjenjë sot këtu. Vetëm përmes kësaj ndjenje mund të kuptojmë se nëpër çka janë duke kaluar familjarët e personave të zhdukur që 19 vjet”, tha Bogujevci.

Bogujevci ka vënë në pah dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, përderisa ka bërë thirrje për presion më të madh nga komuniteti ndërkombëtar ndaj Serbisë, për gjetjen e personave te zhdukur.

“Serbia nuk do ta pranojë fajin, nuk do ta pranojë që ka kryer krime në Kosovë, që ka informacione se ku mund t’i gjejmë trupat e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Dua t’ju bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar për përgjegjësinë që kanë ndaj Serbisë, për t’i bërë presion që çështja e të pagjeturve të jetë prioritet, të merren hapa konkret rreth kësaj çështje”

Saranda Bogujevci dhe Andi Hoti nga PDK-ja kanë thirr këtë seancë për të diskutuar në lidhje me çështjen e personave të pagjetur në Kosovë, dhe pas diskutimit do të dalin me rekomandime të cilat do të votohen në kuvend.