Bordi i Telekomit thotë se ka arritur marrëveshje me përmbaruesin për pezullimin e borxhit

Bordi i Telekomit thotë se ka arritur marrëveshje me përmbaruesin për pezullimin e borxhit

Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës ka njoftuar për arritjen e pajtimit që të pezullohet për një afat të pacaktuar përmbarimi i mjeteve të kësaj ndërmarrje publike, njofton Insajderi.

“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, i emëruar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, siguron për përkushtimin e  vet, të punojë pa paragjykime dhe me durim, me të gjitha palët në këtë proces, pra Telekomin e Kosovës dhe me kreditorët e shumtë të cilët kanë interes që kompania të konsolidohet plotësisht. Në këtë proces Bordi është i fuqizuar me përkrahjen e pakursyer të aksionarit, pra Ministrisë së linjës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim,

Tutje bëhet e ditur se Bordi i ri ka analizuar situatën emergjente financiare, operative të korporatës dhe menjëherë si masë emergjente ka takuar kreditorët më të mëdhenj dhe përmbaruesin, duke kërkuar nga ta mirëkuptim për gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht Telekomi.

“Bordi i perkohshme i Telekomit të Kosovës, i kryesuar nga Mehmet Berisha, ka arritur pajtimin për pezullim të përmbarimit të mjeteve të Telekomit për një afat të pa caktuar, deri në stabilizimin e gjendjes ekonomike të kësaj kompanie publike.  Kështu, në biseda të ndara, me kreditorët si dhe me Përmbaruesin Privat dhe me përfaqësuesit e ATK-së, u arritën  marrëveshje të zhbllokohen llogaritë bankare. Me Administraten Tatimore janë dakorduar modalitetet e marrëveshjes, ndërsa ristrukturimet/riprogramimet e borxheve të tjera do të bëhen muajt në vijim pas stabilizimit të gjendjes financiare”, thuhet tutje në njoftim. /Insajderi.com/