Borrell: Dialogu Kosovë-Serbi do të fillojë sapo të jetë gati pala kosovare

Borrell: Dialogu Kosovë-Serbi do të fillojë sapo të jetë gati pala kosovare

“Nuk do të presim më dy vjet, madje as dy muaj derisa ta rikthejmë Ballkanin Perëndimor në agjendën e BE-së”.

Kështu premtoi i ngarkuari i Lartë i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë mbledhjes së mbajtur më 10 maj kur pas dy vjetësh Ballkani Perëndimor ishte në agjendën e Këshillimit të BE-së për Çështje të Jashtme, transmeton Insajderi.

Ministrat e rikonfirmuan edhe një herë zotimin e tyre për perspektivën evropiane të këtyre vendeve, siç tha Borrell. Ata u zotuan se do të angazhohen për çeljen sa më shpejt të konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por Borrell nuk e mohoi se është i shqetësuar për mosmarrëveshjet aktuale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Ne i inkurajojmë këto dy vende të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për konfliktin e tyre”, raporton DW.

Në këtë mbledhje, Borrel theksoi edhe një herë domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, derisa tha se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë kur të jetë gati pala kosovare, e cila ka kërkuar kohë për t’u parapërgatitur.

Ndryshe nga ç’ishte paralajmëruar më parë në media, Borrell tha se nuk ka plane për ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria.

Javë më parë, komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi, ishte shprehur për mundësinë e hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë, meqë Bullgaria po e bllokon aktualisht fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Edhe ministri gjerman i punëve të jashtme Heiko Maas më parë e kishte hedhur poshtë idenë e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.

Çështja e Maqedonisë së Veriut do të jetë në agjendën e ministrave të Evropës të martën, më 11.05.21.

Kthimi i Ballkanit Perëndimor në agjendën e ministrave të jashtme në BE vjen pas ankimeve të disa liderëve të Ballkanit Perëndimor për ndihmën e vonuar.

Bashkimi Evropian i ka premtuar Ballkanit Perëndimor deri në fund të muajit qershor nëpërmjet nismës COVAX deri tani një milionë e 185 mijë e 340 vaksina. /Insajderi.com